Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela në konferencën e sotme për media e dënoi aktin e lëshimit në liri të Boban Iliqit, i cili ishte i akuzuar për vdekjen e katërvjeçarit Almir nga Kumanova. Sela kërkoi nga Ministri i Drejtësisë menjëherë të ndërmarrë veprime në drejtim të kthimit të Iliqit në burg ose në të kundërtën të japë dorëheqje.
“Apeloj te të gjitha strukturat dhe te Ministri i Drejtësisë, menjëherë të ndërmarrin veprime ose në të kundërtën të japë dorëheqje si akt i vetëm dhe i fundit moral. Nuk na duhen letra publike nga prokurorët për atë se çka kanë bërë dhe si kanë vepruar, kemi nevojë që të njëjtit menjëherë të ngrënë procedurë për burgosjen e vrasësit, i cili menjëherë pas lëshimit nga burgu, e kërcënoi me jetë një gazetar. Ata këtë duhet ta bëjnë jo sipas linjës etnike, por si akt moral dhe të paraprirë nga respektimi i drejtësisë dhe nëse me të vërtetë besojnë në drejtësinë e këtij shteti dhe me këtë Boban Iliqi përsëri të kthehet aty ku e ka vendin, në burg”, tha Sela.
Prokurorët, shtoi Sela, këtë duhet ta bëjnë “për të gjithë Almirët tanë, të cilët i kemi në shtëpi dhe për të cilët duhet të krijojmë ardhmëri”. Sela në konferencën e sotme për media e akuzoi Qeverinë, për të cilën tha se “janë ndërruar vetëm emrat, por jo edhe kursi i punës në drejtim të vendosjes së shtetit të së drejtës”.