Shkup, 21 dhjetor – Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, pas takimit të sotëm me kryeministrin Zoran Zaev, deklaroi se partia mbetet në qëndrimet e veta dhe dëshiron edhe më tej ta mbajë vendin e ministrit të Shëndetësisë. Sela nuk tha nëse do të dalin apo do të mbeten në koalicionin qeveritar. “Kishim takim me kryeministrin. Opinioni tashmë është i njoftuar për çfarë bëhet fjalë. Ne mbetemi në qëndrimet tona se nuk do të pranojmë pozita të cilat krijohen gjatë natës dhe të nënvlerësohet Aleanca për Shqiptarët. Një gjë të tillë nuk do ta pranojmë. I propozova kryeministrit të përgatisë edhe një pozitë që do të ishte zëvendëskryeministër për blerjen e byrekut dhe pastaj këtë pozitë do t’ia jap BDI-së për të emëruar ndonjë ministër të tyre. Ne mbetemi në qëndrimet tona se do ta mbajmë Ministrinë e Shëndetësisë dhe nuk do të bëjmë marrëveshje për mbi marrëveshje. Marrëveshja për formim të Qeverisë është bërë kur u krijua Qeveria” deklaroi Sela. Lideri i Aleancës për Shqiptarët tha se ish-ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, i cili është nga Aleanca për Shqiptarët me sukses dhe në mënyrë të rregullt ka menaxhuar me këtë ministri. Sela nuk tregoi çka i është përgjigjur Zaevi kërkesës së tij the tha se përgjigjen ta kërkojmë nga kryeministri. Ai nuk tha nëse Aleanca për Shqiptarët mbetet në Qeveri apo jo, por tha se ata mbeten në procesin e reformave dhe se do të vazhdojnë t’i mbështesin. “Ishim aktorë kryesor në rrëzimin e regjimit dhe ende do të jemi të përqendruar në mbetjet nga ky regjim, të cilat kanë mbetur në këtë Qeveri, të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë”, tha Sela, duke shtuar se drejtësia është e plotë nëse është e barabartë për të gjithë. Edhe një herë konfirmoi se kandidati i Aleancës për Shqiptarët për ministër i Shëndetësisë është Vullnet Ferati. Në pyetjen çfarë nëse Zaevi dërgon propozim në Kuvend me emrin e ministrit të Shëndetësisë që tashmë u publikua, Sela tha se atëherë Aleanca për Shqiptarë do të ndërmarrë qëndrim për këtë çështje dhe si do të sillet nëse dërgohet propozimi. “Shpresojmë se propozimi për ministër të Shëndetësisë do të jetë nga Aleanca për Shqiptarët sepse në mënyrë të tillë kryeministri do të tregohet serioz dhe do të dëshmojë se nuk u nënshtrohet presioneve të cilat dikush ia bën që të luaj lojëra politike”, tha lideri i Aleancës për Shqiptarët.