Shkup, 25 mars – Të punësuarit në sektorin publik presin nënshkrimin e marrëveshjes së re kolektive me të cilën shpresojnë se do të fitojnë të drejta më të mëdha nga ata që janë përcaktuar në ligjet ekzistuese dhe kthimin e kompensimeve dhe shtesave për pagë, shkruan gazeta KOHA. Njëra nga çështjet që do të hapet gjatë negociatave është edhe pagesa e regresit për pushim vjetor të njohur si K-15. Negociatat për marrëveshjen e re kolektive më 6 mars e paralajmëruan dy partnerët socialë – Sindikata e AOGJSH dhe Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Edhe të dyja palët atëherë kanë shfaqur shpresë se do të vijnë deri në zgjidhje më të mira për të punësuarit në administratën publike. Nga ana e Sindikatës së AOGJSH-së tashmë kanë formuar grup pune i cili do të negociojë me Ministrinë dikasteriale dhe ky informacion, siç thonë, është dorëzuar deri te MSHIA. Nga AOGJSH presin në periudhën e ardhshme të dakordohet termini për fillimin e negociatave me kompetentët e Ministrisë dikasteriale.
Nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës shkurt u përgjigjën se ende po arrijnë nominime për anëtarët e grupit punues dhe se kur do të plotësohet lista e anëtarëve, grupi punues do ta mbajë takimin e tij të parë në të cilin do të definohen qëllimet dhe dinamika e punës. Me siguri nuk mund të parashikohet kur procesi do të përfundojë dhe kur do të nënshkruhet marrëveshja kolektive. Nga MSHIA theksojnë se me marrëveshjen kolektive janë të prekur një numër i madh i qytetarëve dhe se parashikohet një proces i gjerë konsultues ashtu që nënshkrimi varet nga të gjitha palët e prekura të përfshira në proces, derisa nga Sindikata e AOGJSH besojnë se nëse gjendet gjuhë e përbashkët për çështjet më të rëndësishme për punëtorët do të mund marrëveshja kolektive të nënshkruhet në afat sa më të shpejtë të mundshëm nga përpunimi i saj.
Njëra nga çështjet më të rëndësishme për të cilën pritet të bëhet fjalë gjatë negociatave gjithsesi është edhe pagesa e regresit për pushim vjetor apo K-15 për të gjitha institucionet në administratën publike. Sindikata e AOGJSH tashmë ka paralajmëruar se regresi për pushim vjetor do të jetë njëra nga kërkesat themelore gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së re kolektive. Edhe nga Ministria dikasteriale konfirmojnë se kjo çështje do të jetë njëra nga disa çështjet për të cilat do të bisedohet, por, siç thonë, qëndrimi lidhur me këtë çështje do të definohet së bashku me Sindikatën e AOGJSH-së. Marrëveshje kolektive për sektorin publik nuk është nënshkruar që nga viti 1995.
Deri më tani, Ligji për marrëdhënie pune dhe ligjet të cilat e rregullojnë punën në administratën publike pësuan ndryshime thelbësore prej të cilave disa ishin edhe në dëm të të punëtorëve. Për këtë shkak me marrëveshjen e re kolektive pritet të punësuarit të fitojnë të drejta më të mëdha nga ato që janë përcaktuar në ligjet ekzistuese. (koha.mk)