Zejnulla VESELI
Shkup, 30 maj – Tre muajt e parë bankat komerciale në Maqedoni më shumë kanë kredituar qytetarët se kompanitë private. Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë (BPM), në kuartalin e parë të këtij viti bankat komerciale kompanive private u kanë lejuar kredi për 152 milion euro më pak krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan gazeta KOHA. “Saldoja e kredive të lejuara për firmat private gjatë tre muajve të parë të këtij viti është për 152 milionë euro më pak krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo do të thotë se bankat në kuartalin e parë kanë lejuar 6.1 për qind më pak kredi për bizneset”, thuhet në raportin e BPM-së. Në anën tjetër thuhet në raport, kreditimi i qytetarëve në kuartalin e parë të këtij viti ka shënuar rritje. “Derisa bankat vendore kanë dhënë më pak kredi për bizneset private, në kuartalin e parë të këtij viti e në anën tjetër për të njëjtën periudhë janë rritur kreditë për qytetarët. “Për tre muajt e parë janë rritur kreditë për qytetarët për 6.7 për qind duke arritur kështu vlerën totale prej 2.18 miliard euro. Arsyet se pse bankat më tepër kanë parapëlqyer më shumë të kreditojnë qytetarët se firmat private sipas BPM-së është për shkak të rrezikshmërisë në ekonominë e vendit gjegjësisht boniteti i dobët i firmave që të mund të marrin kredi. “Në një njërën anë bankat kanë vërejtur rritjen e rrezikshmërisë ekonomike të firmave për të investuar dhe se shume firma private nuk kanë pasur bonitet të mirë për huamarrje plotësuese. Tek firmat private gjithmonë është ndier ndjenja e abstenimit për të investuar në pritje të zgjidhjes së krizës politike dhe se kërkesat e shumta të firmave private për kredi kanë qenë për të mbyllura nevojat rrjedhëse financiare”, thuhet në raportin e BPM-së. Në kushte të këtillë kur firmat private ishin në dilemë për investime të reja në anën tjetër kërkesat e dobëta të kompanive private për kredi bankat i kanë kompensuar më dhënien e më shumë kredive për qytetarët. Kërkesat e dobëta për kredi nga ana e sektorit privat të biznesit është kompensuar më dhënien e më shumë kredive për qytetarët dhe nëse analizohet kthimi i kësteve të kredive i bie që qytetarët të jenë më të disiplinuar për pagesën në kohë të kredive. “Në një periudhë kur shumë kompani private hoqën dorë apo i shtynë investimet e tyre ishte më se domosdoshme që të bëjë projektime të reja gjegjësisht të ndryshojmë strategji të dhënies së kredive që të mos humbin hapin e kreditimit. Pikërisht kjo ka bërë që të forcohet dhënia e kredive për qytetarët”, komentojnë nga sektori bankar i Maqedonisë.
Përveç rritjes së kredive konsumatore të dhënat e BPM-së njëherit tregojnë se bankat kanë rritur interesin dhe ende janë të interesuar për të blerë bono të thesarit që emetohen nga Ministria e Financave.”Përfundimisht me muajin mars të këtij viti bankat komerciale vendore kanë blerë mbi 522 milion euro letra shtetërore me vlerë. Sipas planit shtetëror të strategjisë fiskale për vitin 2017 shteti parasheh që të lëshon në treg letra me vlerë gjegjësisht planifikon nga bankat të merr hua në vlerë prej 138,8 milion euro”, thuhet ne raportin e fundit të BPM-së.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara