Një mësuese britanike është dënuar me 16 muaj burg pasi pranoi aferat seksuale që kishte pasur me një prej nxënësve të saj 15-vjeçar. 23-vjeçarja Alice McBrearty, pranoi marrëdhënien 4-mujore me një nxënës, të cilit ajo i kishte dhënë mësim në Londrën Lindore. Sipas dëshmive në Gjykatën Mbretërore në Snaresbrook, McBrearty e puthi të riun në klasë dhe kreu marrëdhënie seksuale në shtëpinë e prindërve të saj në Wanstead Park, në Londër. Prokurorët thanë se marrëdhënia nisi kur mësuesja i dërgoi një kërkesë për miqësi në Facebook. Sipas dëshmive në gjykatë, mësuesja dhe nxënësi, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, janë takuar shumë herë në vende të ndryshme, mes të cilëve edhe një herë në hotel, dhomë e cila u pagua nga McBrearty. Marrëdhënia e tyre mori fund kur babai i adoleshentit kontaktoi policinë. Kur dëgjoi vendimin e gjyqtares Sheelagh Canavan, McBrearty vendosi duart në kokë dhe rënkoi.