Nëna e terroristit të Berlinit, Nour El Houda Hasani është shprehur se një sekret i madh ka vdekur bashkë me të birin. Mediat e huaja raportojnë për pretendimet e familjarëve dhe kërkesën e tyre ndaj autoriteteve që jo vetëm t’i sjellin trupin e djalit por edhe të zbulojnë gjithë të vërtetën. “Brenda tij qëndronte një sekret. Ata e vranë bashkë me sekretin. Unë dua të vërtetën për djalin tim. Kush fshihej prapa tij”, është shprehur nëna.
Ndërkohë vëllai, Abdel Kader qante ndërkohë që pyeste vazhdimisht se pse duhet të vrisnin vëllain e tij. “Vëllai im ka vdekur, ne duam eshtrat e tij, qoftë edhe vetëm një gisht dhe unë do ta mbaj atë në xhep. E vranë kur thanë se ai ishte një i dyshuar! Përse”, thotë i vëllai. Sulmi terrorist në Berlin morri jetën e 12 personave dhe plagosi 48 të tjerë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Tunizi ka thënë se trupi i pajetë Anis Amrit do të kthehet në vendlindjen e tij, por kjo do të marr pak kohë për shkak do të kryen ekzaminime nga hetues italian, gjermanë dhe tunizianë. Por, veç familjes, mediat në Evropë kanë ngritur shumë pikëpyetje rreth terroristit të Berlinit. Një ditë pas eliminimit të Anis Amri, 24-vjeçarit tunizian që u vërsul me kamion në tregun e Krishtlindjeve në Berlin, duke vrarë 12 persona e plagosur 49 të tjerë, disa pikëpyetje janë ngritur rreth trajektores së tij terroriste. E para dhe më e rëndësishmja që ngrenë mediat e huaja, është se si tuniziani arriti të kalojë lehtësisht përmes kufijve 3 vendeve evropiane, edhe pse ishte shpallur personi më i kërkuar nga të gjitha forcat e sigurisë në kontinent.
Ekspertët evropianë kundër terrorizmit vënë seriozisht në dyshim, sigurinë në zonën Shengen, duke nënvizuar se duhet të rishikohet kontrolli në pikat kufitare. Sipas kësaj harte të ndërtuar nga mediat italiane, Anis Amri ka udhëtuar qetësisht thuajse përgjatë të gjithë territorit gjerman, duke përfituar nga orët e para pas masakrës, ku ende nuk dihej asgjë për të, pasi fillimisht u arrestua emigranti pakistanez. Të enjten pasdite tuniziani kishte marrë trenin nga jug-lindja e Francës për në Torino, në Itali, për të ndaluar më pas në Milano në orën 1 të mëngjesit të së premtes. Pikërisht në Milano ai ndalohet nga policia, ku pas një shkëmbimi zjarri me oficerët mbetet i vrarë.
Një tjetër pikëpyetje e prokurorëve italianë është se përse Amri kishte ardhur në Milano dhe a kishte në qëllim të godiste Italinë? Dyshimet janë se ai mund të jetë pjesë e një celule xhihadiste e vendosur pikërisht në qytetin verior italian, që do ta ndihmonte të dilte nga Evropa. Sakaq në dyshim vihet edhe bashkëpunimi mes shërbimeve sekrete, ashtu si në masakrën e Parisit në nëntor 2015, pasi sipas “Corriere Della Sera”, inteligjenca marokene e kishte lajmëruar 3 muaj më parë atë gjermane për rrezikshmërinë e Anis Amri, ky i fundit i arrestuar 3 herë nga policia gjermane e më pas i liruar.