Syarta është nga Kërçova por jeton prej shumë vitesh në Zvicër. Nën gjurmët e të atit i cili edhe ai është një këngëtar, ajo u dashurua me muzikën që e vogël. Syarta ka realizuar një klip me titull “Intentions” të realizuar nga Zzap&Chris me të cili edhe është prezantuar për publikun mbarë shqiptar. Elegante, e bukur, e buzëqeshur dhe me një zë që të bën ta dëgjosh përsëri e përsëri, do flasim për “Sekretet” e Syartës, të cilat ajo na i zbulon me shumë dashuri!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Syarta, këtë herë do flasim për sekretet e tua sepse publiku do të dijë gjëra që nuk i ke thënë më parë, je dakord?
Shumë dakord!
KOHA: Ta nisim nga bukuria, cili është sekreti i bukurisë tënde?
Mendoj se sekreti i bukurisë është gjithmonë ajo që ke brenda dhe të ndihesh mirë për atë që je.
KOHA: Sekreti i lumturisë?
Sekreti i lumturisë është të jesh e lumtur me gjithçka që ke dhe të luftosh për ëndrrat ne mënyrë që mos të harrosh çfarë do dhe për çfarë punon.. ndonjëherë e kemi fatin dhe jetën vetë në dorë..!
KOHA: Sekreti i suksesit?
Me rëndësi është që gjatë kësaj periudhe të mos harrosh njerëzit që të kanë mbështetur flas për familjen dhe shoqërinë e vërtetë ..sakrificat shpërblehen gjithmonë në fund dhe më me rëndësi është besimi dhe këmbëngulja!
KOHA: Cili është sekreti i muzikës që bën?
Sekrete në muzikë nuk ka besoj, por duhet të shprehesh atë që ndjen dhe të kuptosh kush je si artiste.. çdo muzikë është e mirë, varet artisti si e shet dhe e interpreton!
KOHA: Sekreti për të bërë karrierë?
Është shumë e vështirë të zgjedhësh rrugën e duhur dhe sidomos të nisësh hapat e parë por një gjë është shumë e sigurt që duhet shumë vullnet,dashuri dhe shpenzime. E kam cekur edhe më parë se jo çdo investim është sukses por çdo investim të mëson.
KOHA: Sekreti yt në dashuri?
Dashuria është diçka shumë e bukur që meriton çdo njeri të ketë dashuri qoftë në lidhje, shoqëri, familje ose punë. Unë personalisht jap shumë dashuri aty ku duhet, ndoshta ndonjëherë edhe ku nuk duhet. (Buzëqesh) Sekreti këtu është që kurrë mos lejo të bëhesh ashtu siç nuk do doje ti të ishe.
KOHA: Sekreti për t’u ndier rehat?
Të mos bësh keq të tjerëve në jetë dhe të jesh gjithmonë reale edhe me veten!
KOHA: Sekreti i “të qenit gjithnjë e sinqertë”?
Edhe unë gaboj dhe sillem ndonjëherë keq sepse është njerëzore, por preferoj të jem e saktë me të gjithë edhe me ata qe nuk e meritojnë sepse secili përgjigjet vetë për emrin e vet.
KOHA: Sekreti për të pasur shumë miq?
Shumë miq mund të kesh, por të vërtetët janë pak!
KOHA: Sekreti yt për ta kaluar kollaj dhimbjen?
Jam shumë pozitive në çdo sfidë apo situatë të jetës dhe mendoj se ky është dhe sekreti im!
KOHA: Sekreti për të mposhtur emocionet kur këndon?
Secili ka sekretin e tij këtu, por sekreti im është se zhytem vetëm në ndjenjat që kam për muzikën.
KOHA: Sekreti për të afruar publikun?
Nuk e kam zbuluar akoma, por mendoj që të jesh vetja është gjëja më e mirë!
KOHA: Sekreti për të pasur një karrierë si e jotja?
Nuk e kam arritur akoma qëllimin në karrierë, por fillimet e mia kanë qenë shumë me sakrifica besoj si çdo artist tjetër. Sekreti im këtu është këmbëngulja!
KOHA: Sekreti për një trup elegant?
Është gjenetike, por edhe kujdes ndaj vetes!
KOHA: Sekreti për të kaluar një ditë pa stres?
Sekreti është të mos lejosh gjërat negative të ndikojnë gjatë gjithë ditës sepse nuk ia vlen.
KOHA: Sekreti për të pasur look shokues?
Looku s’ka rregulla, kështu që unë mendoj se eleganca është sekreti!
KOHA: Po sekreti për të fituar sa më tepër pikë gjatë një interviste, cili është?
Sa më çiltër aq më mirë, sa më e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë aq më mirë. Sa pikë fitova me këtë intervistë? (qesh).