Uashington, 6 prill – SHBA-ja e shpalli “Lëvizjen imperialiste ruse” (LIR) organizatë terroriste, kumtoi Njujork tajms duke iu referuar një përfaqësuesi të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit.
Ambasadori Natan Sejls, koordinues për çështje të luftës me terrorizmin në Departamentin amerikan të Shtetit, deklaroi se ky është rasti i parë SHBA-ja të shpallë ndonjë organizatë për terroriste, sepse përfaqëson ide për epërsi të racës së bardhë ndaj racave të tjera.
“Me këtë tregojmë se sa është serioze administrata ndaj kërcënimeve që vijnë nga këto grupe, Ne po bëjmë atë që deri më tani nuk e ka bërë askush nga paraardhësit tanë”, deklaroi Sejls.
Sipas gazetës, Ministria e Financave e SHBA-së i ka bllokuar të gjitha llogaritë e Lëvizjes në vend dhe ka ndaluar lidhje të kontratave mes amerikanëve dhe përfaqësuesve të saj.
Lëvizja imperialiste ruse, organizatë e formuar në Rusi, është e lidhur me mbështetje dhe trajnim të grupeve neonaziste për kryerje të sulmeve terroriste në Rusi dhe Skandinavi.
Grupet ekstreme nacionaliste dhe djathtiste janë në ngritje në vitet e fundit, posaçërisht pas disa sulmeve të tilla në SHBA dhe pas sulmit në Krajstçërç, në Zelandë të Re, kur një burrë vrau 51 persona dhe tërë këtë e emetoi në Fejsbuk.
Përpjekjet për të gjetur organizatë të huaj dhe të shpallet terroriste, madje edhe nëse ajo nuk paraqet kurfarë rreziku për SHBA-në, është hap politik për t’u treguar se administrata e merr seriozisht rrezikun nga grupet radikale nacionaliste dhe djathtiste.