Fisnik NUHIU
Bukuresht, 15 qershor – Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll tani 7 ditë ka që po qëndron në Bukuresht të Rumanisë, për ndeshjet e kampionatit Evropian 2020.
Gazeta po qëndron në Bukuresht ndërsa realizoi një intervistë me kryetarin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë Muamed Sejdini, me të cilin folëm për ndeshjen e humbur ndaj Austrisë dhe për atë çka na pret në takimin e radhës ndaj Ukrainës.
KOHA: Është hera e parë qe përfaqësuesja e Maqedonisë po luan në kampionat Evropian, çfarë do të thotë kjo për ju?
SEJDINI: Kualifikimi i Maqedonisë ne Evropian besoj se është një festë e madhe për të gjithë ne si dhe fansat e vendit tonë. Këtu në Bukuresht edhe vet ju po shihni se çdo ditë është festë, pa marr parasysh humbjen ndaj Austrisë vet prezenca jonë këtu ka një domethënie të madhe. Ndërkaq, sa i përket takimit me Austrinë nuk duhet që të jemi të dëshpëruar por duhet që të motivojmë lojtarët për takimet e radhës.
KOHA: Si e cilësoni takimin e parë ndaj Austrisë. Mendoni se përvoja në një kompeticion të tillë na ndëshkoi?
SEJDINI: Mendoj se kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, mirëpo nuk dua që të komentojë shumë rrjedhjen e lojës pasi për këtë gjë duhet të merren njerëzit kompetentë për këtë gjë.
KOHA: Në takimin ndaj austriakëve pas golit të tretë kishte një mosmarrëveshje mes futbollistit tonë Alioskit dhe Arnautoviqit. Ju si Federatë keni dërguar ankesë deri te UEFA, a keni pranuar ndonjë përgjigje deri më tani?
SEJDINI: Ende nuk kemi pranuar përgjigje nga UEFA. Por besoj se UEFA për këtë rast do të merr të gjitha masat e nevojshme. E dimë që UEFA është shumë restriktive në raste të tilla, ku ka ofendime në baza nacionale apo racore, kështu që neve na mbetet të presim përgjigjen nga UEFA për këtë rast.
KOHA: Ndeshja e radhës do të jetë të enjten ndaj Ukrainës. Çfarë prisni ju si kryetarë i FFM-së nga kjo përballje?
SEJDINI: Vetë kualifikimi në Evropian tregon se ne jemi gati për të gjitha takimet. Besoj se lojtarët me vetë prezencën këtu në Bukuresht janë të motivuar, shpresoj se në ndeshjen e radhës ndaj Ukrainës të dalim me rezultat pozitiv.