Shkup, 30 nëntor – Ekipi i futsal Shkupi e ka nisur në mënyrën më të mirë edicionin e ri në Ligën e Kampionëve. Kampioni i Maqedonisë së Veriut ka shënuar fitore me rezultatin 3:0 ndaj ekipit irlandez “Blu Mexhik Dublin” në raundin paraeliminatorë të Ligës së Kampionëve.
Skuadra “bardhekaltër”, ndryshe nga viti i kaluar, kjo për shkak pandemisë, me vetëm një ndeshje arriti të kualifikohet në mesin e 32 skuadrave më të mira në futsalin evropian.
Fitoren e Futsal Shkupit e paralajmëroi Erkan Seferi me golin e realizuar në minutën e 7 nga pika e bardhë. Nikolla Dimovskit bëri që mysafirët edhe për herë të dytë të kapitullojnë para djelmoshave “bardhekaltër”, ndërkaq, goli i tretë erdhi në fund të përballjes me anë të Eljesa Nezirit.
Autori i golit të parë, Erkan Seferi, për gazetën Koha është shprehur i lumtur për fitoren e arritur, ndërsa paralajmëron se ekipi i tij nuk do të ndalet këtu, por se edhe në takimin tjetër do të futet për të arritur deri te fitorja.
“Ka qenë ndeshje jo edhe e lehtë për ne. Mungonin disa lojtarë kryesor për shkak të lëndimeve. Ne nuk u dorëzuam, zhvilluam ndeshjen tonë. Në fund rezultati u arrit. Jemi të lumtur me fitoren e arritur. Na pret edhe më shumë punë për ndeshjen e radhës. Por, ne do të bëjmë gjithçka që të arrijmë sa më lartë në këtë edicion, për arsye se këtë vit nuk do të ketë grupe. Dua të falënderoj edhe tifozët tanë “Shvercerat” të cilët pas ndeshjes na uruan fitoren në mënyrën më të mirë që dinë ata”, theksoi sulmuesi i futsal Shkupit, Erkan Seferi, transmeton gazeta Koha.
Ndërkohë, Futsal Shkupi gjatë ditës së sotme mësoi edhe kundërshtarët e mundshëm në raundin e dytë. Shorti do të hidhet në Nion të Zvicrës më 9 dhjetor të këtij viti. (koha.mk)