Vetura Seat Ateca ka fituar çmimin “Autobest 2017”. Xhipi i prodhuesit spanjoll kishte në konkurrencë për këtë çmim veturat Citroen C3, Kia Niro, Peugeot 3008 dhe Toyota C-HR. Në edicionin e gjashtëmbëdhjetë të kompeticionit, juria e shpalli këtë veturë si më të përshtatshëm për konsumatorët evropianë, Pas testimit që u zhvillua në Itali në fund të nëntorit nga 31 gazetarë të industrisë së makinave. Karakteristikat më të veçanta të kësaj makine u vlerësuan të jenë dizajni, komforti, vozitja e lehtë dhe vlera që blerësi merr në raport me çmimin. Është interesante se nga pesë finalistët e këtij viti, katër prej tyre ishin makina SUV, gjë që tregon për rritjen e shitjeve të veturave nga ky segment. Ateca është veturë e cila është menduar të kaplojë një numër të madh të konsumatorëve, duke qenë se tipi vjen me tipa të ndryshme motorësh me diesel dhe benzinë. Çmimi i kësaj veture sillet nga 18 mijë deri në 30 mijë euro.