Kuvendi i ri i Kosovës, i zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, do ta mbajë seancën konstitutive. Me seancën, fillimi i të cilës është caktuar për në orën 10, do të kryesojnë deputeti më i moshuar dhe më i ri, midis 120 të përzgjedhurve të popullit, Adem Mikullovci dhe Teuta Rugova. Vajzës së presidentit të parë kosovar Ibrahim Rugova, nderi që të kryesojë po i takon për herë të dytë, për shkak se edhe në vitin 2014 ishte deputeti më i ri. Pas verifikimit të mandateve të deputetëve e dhënies së betimit, Kuvendi do të duhet të zgjedhë kryetarin dhe pesë nënkryetarët e tij.
Mandati i të parit të Kuvendit i takon PAN-it dhe PDK ka njoftuar se kandidat për këtë pozitë do të jetë Kadri Veseli, por kandidatura e tij është kundërshtuar nga dy partitë tjera, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me aleatët e saj që ishte në koalicion zgjedhor. PAN ka njoftuar se i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin dhe për ta formuar qeverinë, por dy partitë rivale, kanë deklaruar në vazhdimësi se PAN nuk i ka numrat. Rendi i ditës së seancës: 1. Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, 2. Dhënia e betimit të deputetëve, dhe 3. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.