Shkup, 18 tetor – Gjykimi për rastin “Sopot” në të cilin 10 persona janë të akuzuar për terrorizëm, sot duhet të vazhdojë në Gjykatën Penale me marrjen në pyetje të dëshmitarëve. Seanca paraprake më 9 tetor u anulua me propozim të mbrojtjes, e cila kërkoi kohë shtesë për përgatitje, për shkak të ndryshimit të gjykatësve në këshillin penal dhe marrjes së rastit nga ana e Prokurorisë Publike Speciale.Prokuroria Publike Themelore për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsion në korrik të këtij viti ia kanë dorëzuar lëndën “Sopot” PSP-së, pasi në opinion u publikuan biseda të funksionarëve të lartë të lidhura me këtë rast. Ndryshe, nga materialet e përgjuara të publikuara nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, dëgjohet se si ish ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska dhe ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin në fjalë dhe thonë se të akuzuarit pafajsisht janë burgosur. Rasti “Sopoti” ka histori prej 14 vitesh. 12 banorë nga fshati Sopot u akuzuan se në mars të vitit 2003 kanë vendosur eksploziv në rrugën lokale Sushevo-Sopot, ku në këtë eksplodim u vranë dy anëtarë të kontingjentit polak të NATOS dhe një civil maqedonas. Kjo ndodhi dy vjet pas konfliktit të vitit 2001, kur Maqedonia ende po e merrte veten nga pasojat që i shkaktuan veprimet e armatosura edhe në planin e sigurisë edhe atë ndëretnik.