Kuvendi i Kosovës sot në orën 10:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pikë e vetme e rendit të ditës së kësaj seance është debati parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi dhe tema e korrigjimit të kufijve.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se partia e tij, AAK do të jetë e pranishme në seancën e sotme.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të së mërkurës për korrigjimin e kufijve të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, njofton Klan Kosova.
Po kjo parti nuk do të votojë rezolutën e propozuar nga LDK që ia ndalon secilit të flas me Serbinë për çështjen e kufijve.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi i ka thënë Klan Kosovës se rezoluta që duhet të votohet duhet ta kapërcejë këtë pikë të propozuar nga LDK dhe të përfshijë edhe pika të tjera siç është ndalimi i krijimit të një autoriteteti të tretë në Kosovë si dhe kërkesën për njohjen reciproke.