Dibër, 16 gusht – Këshilli i komunës Dibër në seancën e sotme të jashtëzakonshme ka diskutuar për grevën e punëtorëve të Ndërmarrjes publike komunale “Standard” në Dibër për shkak të kontributeve të papaguara në periudhë prej 11 vitesh dhe pagave minimale.
Pas diskutimit disaorësh, Këshilli ka autorizuar kryetarin e komunës në bazë të ligjit të zgjedh problemin me “Standardin”.
Kryetari i Këshillit, Bashkim Mashkulli ka thënë se është dhënë afat prej dhjetë ditësh. Për këtë, ai dhe disa këshilltarë do ta informojnë udhëheqësinë dhe të punësuarit dhe do të kërkojnë të kthehen në obligimet e përditshme që qyteti të mos ngulfatet nga bërlloku në këto temperatura të larta.
“Kërkojmë të paguhen kontributet për shëndetësi, sigurim pensional dhe invalidor për 11 vite, rritje të pagës dhe përmirësim të kushteve të punës. Të gjithë e dini problemin tonë. Nga premtimet që deri tani na janë dhënë na ka ardhur te hunda. Ose zgjidhje të problemit ose nuk do të punojmë”, ka thënë Mashkulli.
Drejtori i “Standardit”, Mazllum Lleshi ka dhënë mbështetje të plotë të punësuarve edhe pse ka shtuar se problemi i imponuar nuk zgjidhet me shkop magjik menjëherë.
Mirëkuptim për problemin ka shfaqur edhe kryetari i Dibrës, Hekuran Duka i cili ka premtuar angazhim maksimal për tejkalimin e problemit një nga një.
“Këtë e kam trashëguar si problem dhe sa do që dua, nuk mund të zgjidhet menjëherë. Maksimalisht do të angazhohem me kërkesë edhe në nivel qendror dhe besoj se do të tejkalohet”, ka thënë Duka.
Ndaj 80-të të punësuarve në “Standard” nga janari i vitit 2015 rregullisht u paguhen kontributet, por për shkak të borxhit ndaj Fondit, ata edhe më tej nuk marrin shërbime shëndetësore.