Shkup, 19 gusht – Në Gjykatën penale sot duhet të vazhdojë gjykimi për parregullsitë zgjedhore “Titanik” të Prokurorisë Speciale Publike.
Seanca paraprake u shty për shkak të mungesës së anëtarit të këshillit gjyqësor, gjykatësit Ognen Stavrev.
Lënda, të cilën e zhvillon gjykatësi Osman Shabani, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është Lile Stefanova, gjendet në procedurë dëshmuese. Deri më tani janë nxjerrë rreth 4.850 nga mbi 5.900 dëshmi të propozuara materiale nga PSP-ja.
Përveç ish kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili është në arrati në lëndën “Titanik” të akuzuar janë edhe Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkoska-Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristoski, Kiril Todorovski, Katerina Velkovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashjakovska.
Ata akuzohen për joshje kriminale, shkelje të së drejtës zgjedhore, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës zgjedhore.
Seancë e re sot duhet të mbahet edhe për lëndën “Titanik 3” në të cilën është i akuzuar Ejup Alimi dhe Ismet Guri nga BDI-ja. Ata akuzohen se si anëtarë të Komisionit zgjedhor komunal në[ Çair në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë shkatërruar material zgjedhor.
Procedura filloi sërish më 15 mars të këtij viti pas emërimit të gjykatëses Marija Kletiçka për gjykatëse të re në lëndë, pasi gjykatësja Olja Ristova, e cila e zhvillonte rastin, në muajin shkurt të këtij viti kërkoi përjashtim nga lënda.