Shkup, 13 nëntor – Në Gjykatën penale për sot janë caktuar seanca të reja për lëndët e Prokurorisë Speciale Publike “Titanik 2”, “Titanik 3” dhe “Tarifa”.
Gjykatësi Ognen Stavrev në seancën e fundit për rastin “Titanik 2” paralajmëroi se sot do të shqyrtohen dëshmitë e reja që i parashtroi i akuzuari Bedredin Ibraimi në rastin “Titanik 2”, ndërkaq të cilat kanë të bëjnë me dëshminë që e ka dhënë në PTHP kur lënda ka qenë në atë prokurori.
Në “Titanik 2” të akuzuar janë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, si dhe ish-anëtarët e KSHZ-së, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Sërcev.
Për shkak të mungesës zyrtare të kryetares së këshillit gjyqësor, Olja Ristova, seanca e kaluar për lëndën “Titanik 3” e PSP-së ishte shtyer për sot. Në këtë lëndë të akuzuar janë deputeti i BDI-së, Ejup Halimi dhe Ismet Guri për parregullsi zgjedhore në Komunën e Çairit.
Në bankën e të akuzuarve sot duhet të ulen edhe ish-drejtori i përgjithshëm i SHA “ELEM”, Dejan Boshkovski dhe dy persona të tjerë, të cilët janë të akuzuar në rastin “Tarifa” të PSP-së.
Në këtë lëndë bëhet fjalë për aktakuzë për furnizim të paligjshëm të sistemit softuerik për nevojat e kompanisë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë” në vlerë prej rreth katër milionë eurove.
Sipas aktakuzës së PSP-së, të akuzuarit e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe autorizimin në procedurën për furnizim publik të softuerit – “ERP Sistem”. Të akuzuarit me moskryerje të detyrës zyrtare kanë mundësuar që personi juridik – konsorciumi, i cili më vonë e ka fituar tenderin të kualifikohet në fazën e dytë të negociimit gjatë furnizimit publik, edhe pse nuk ka parashtruar dokumentacion të plotë.