Në Gjykatën Penale për sot janë caktuar seanca të reja për lëndët e Prokurorisë Speciale Publike “T.N.T.”, “Transportuesi” dhe “Tenderët”. Rasti “T.N.T.” ka të bëjë me prishjen e kompleksit “Kosmos” të biznesmenit dhe njëherit edhe kryetar i Partisë për Ardhmëri Evropiane (PAE), Fijat Canoski, ndërsa në të të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski, ish-kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, inspektuesja ndërtimore nga Gazi Baba dhe tre anëtarë të komisionit kuvendor për furnizime. Sipas aktakuzës, me procedurën për prishjen është shkaktuar dëm prej 16 milionë eurosh, ndërsa në mënyrë shtesë i është shkaktuar dëm edhe buxhetit të komunës së Gazi Babës prej tre milionë denarësh. Canoski dhe kompania FIMET paralajmëruan se do të paraqesin kërkesë për dëmin e shkaktuar.
Mbrojtja e të akuzuarve në lëndën e PSP-së “T.N.T.” në seancën e fundit kërkuan përjashtim të këshillit gjykues, kryetarit të Gjykatës Penale Ivan Xholev dhe u.d. kryetar i Gjykatës së Apelit Lidija Dimçeva. Për kërkesat vendos Gjykata Supreme e RM-së. Kërkesa, siç sqaruan avokatët, është për shkak të asaj që prokurorja speciale publike Katica Janeva ka dhënë deklaratë në televizionin nacional se ka gjykatës të cilët veprojnë për lëndët e PSP-së, ndërsa janë përgjuar. Mbrojtja më 26 mars kërkoi nga PSP-ja informacione se kush janë gjykatësit e përgjuar, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje. Pas parashtrimit të kësaj kërkese tek avokatët, është dhënë pauzë për shqyrtimin e saj. Në bankën e të akuzuarve sot duhet të ulet edhe ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska Milevska, e cila është e akuzuara e parë në rastin “Tenderët”, i cili ka të bëjë me kryerjen e punëve ndërtimore në Muzeun e luftës së Maqedonisë për shtetësi dhe pavarësi në Shkup.
Gjykimi do të vazhdojë me dëgjimin e audio incizimeve të cilat janë dëshmi në procedurë. I akuzuari i dytë dhe i tretë në këtë rast janë anëtarët e Komisionit për furnizime publike. Seancë e re duhet të mbahet edhe për rastin “Transportuesi” në të cilin të akuzuar janë ish-kryetari i komunës së Manastirit, Vlladimir Taleski dhe edhe 20 persona të tjerë për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me organizimin e transportit të nxënësve në Manastir, me çka është bërë mashtrim prej rreth 360.000 eurove.