Seanca të reja për “T.N.T.” dhe “Titanik 3”

Shkup, 30 tetor – Në Gjykatën Penale për sot janë caktuar seanca të reja për lëndët e Prokurorisë Publike Speciale “T.N.T” dhe “Titanik 3”. Në gjykimin për “T.N.T” sa i takon rrënimit të paligjshëm të kompleksit “Kosmos” të biznesmenit Fiat Canoski, duhet të prezentohen dëshmitë e tjera materiale të PPS-së. Në mesin e të akuzuarve për rrënimin e “Kosmos” janë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe ish-kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski.

Sipas aktakuzës së PPS, të akuzuarit në vitin 2011 kanë kryer vepër penale prej urrejtjes politike me rrënimin e kompleksit “Kosmos”. Gjykim sot duhet të mbahet edhe për rastin “Titanik 3” në të cilin akuzohen Ejup Alimi dhe Ismet Guri nga BDI. Ata ngarkohen se si anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Çair në zgjedhjet lokale në vitin 2013 kanë asgjësuar materiale zgjedhore.