Shkup, 9 nëntor – Në Gjykatën Penale sot duhet të mbahen seanca të reja për lëndët e Prokurorisë Speciale Publike “Tenderë” dhe “Transporter”.
Rasti “Tenderë” gjendet në procedurën dëshmuese dhe në seancën e sotme duhet të merren në pyetje dy dëshmitarë. Seanca e fundit gjyqësore u shty për shkak të mungesës së kryetarit të këshillit gjyqësor Osman Shabani.
Në këtë lëndë, e akuzuara e parë është ish-ministrja e Kulturës Elizabeta Kançeska Milevska, për tenderin për kryerjen e punëve ndërtimore në Muzeun e luftës së Maqedonisë për shtetësi dhe pavarësi nga projekti “Shkupi 2014”.
Sipas aktakuzës, një pjesë e punëve ndërtimore në Muze janë kryer në dobi të personit juridik “Beton” nga Shtipi. Para se të shpallet konkursi për ndarjen e marrëveshjes për furnizim publik dhe para se të zbatohet procedura, në kundërshtim me Ligjin për furnizime publike, Kançeska-Milevska përmes bisedave me drejtorin e përgjithshëm të ndërmarrjes ndërtimore “Beton” nga Shtipi ka imponuar që të vazhdojë me punë në Mueze, ku janë kryer punët ndërtimore pas marrëveshjes paraprakisht të arritur për furnizime publike.
Në bankën e të akuzuarve sot, gjithashtu, duhet të ulen edhe të akuzuarit në lëndën e PSP-së “Transporter”.
Ish-kryetari i qytetit të Manastirit Vlladimir Taleski dhe edhe 20 persona të tjerë në këtë rast akuzohen për keqpërdorim të pozitës lidhur me organizimin e transportit të nxënësve në Manastir, me çka është bërë shpërdorim i rreth 360.000 eurove.