Shkup, 15 tetor – Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për sot janë caktuar seanca për rastet “TNT”, “Talir 2” dhe “Llaskarca”.
Lëndën e “TNT”-së e udhëheq gjykatësi Ognen Stavrev, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është Burim Rustemi.
Rasti gjendet në procedurë dëshmuese dhe dëgjohen dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja.
Në lëndën “TNT” e cila ka të bëjë me rrëzimin e kompleksit afarist-banesor “Kosmos” të biznesmenit Fijat Canoski, mes të akuzuarve janë ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish ministri i transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, si dhe ish kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski. Sipas akuzës, ata në vitin 2011 kanë bërë vepër penale nga urrejtja politike me rrëzimin e kompleksit “Kosmos” të Fijat Canoskit.
Lëndën e “Talir 2” e udhëheq gjykatësja Daniella Aleksovska- Stojanovska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është Lençe Ristoska e PTHP- Shkup.
Në rastin “Talir” të akuzuar janë ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Kiril Bozhinovski, të cilët, sipas aktakuzës së PSP-së, me keqpërdorim të pozitës zyrtare, kanë mundësuar që personi juridik SHN Beton SHA Shkup ta ndërtojë selinë e partisë politike VMRO-DPMNE, edhe pse personi juridik në kohën e sigurimit të shërbimit ka lidhur marrëveshje për furnizime publike me organe shtetërore dhe institucione publike ose ndërmarrje në kundërshtim me Ligjin për partitë politike, Ligjin për financimin e partive politike dhe Ligjin për marrëdhënie obliguese.
Të akuzuarit në kundërshtim me rregullat ligjore kanë siguruar pasuri të konsiderueshme për partinë politike VMRO-DPMNE në vlerë prej 507.164.424 denarë, gjegjësisht 8.246.576 euro.
Në gjykatë sot duhet të mbahet seancë e re për rastin e aksidentit të autobusit në Llaskarcë pasi seanca e kaluar ishte shtyrë për shkak të problemeve shëndetësore të njërit prej të akuzuarit.
Në aksidentin rrugor që ndodhi më 13 shkurt të këtij viti afër fshatit Llaskarcë kanë humbur jetën 16 persona, ndërsa 37 të tjerë u lënduan rëndë. Për aksidentin, gjegjësisht për vepra të rënda të kryera kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në aksident, janë akuzuar gjashtë persona. (koha.mk)