Seanca të reja për lëndët “Lëndina” dhe “TitaniK” të PSP-së

0

Shkup, 31 maj – Në Gjykatën penale në Shkup për sot janë caktuar seanca të reja për rastet “Lëndina” dhe “Titanik” të prokurorisë speciale Publike, njofton Koha.mk

Rasti “Titanik” ndodhet në procedurë dëshmuese dhe po nxirren dëshmitë materiale të propozuara nga PSP. Bëhet fjalë për rreth 5.900 dëshmi materiale, si kërkesa për dhënie të letërnjoftimeve, deklarata për persona të autorizuar, ekstrakte nga llogaritë, vërtetime dhe dokumente e dëshmi të tjera për keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës politike prej vitit 2013.

Përveç ish-kryeministrit Nikolla Gruevski i cili ndodhet në arrati, në “Titanik” të akuzuar janë edhe Kiril Bozhinovski, Gordana Jankullovska, Mile Janakieski, Biljana Brishkoska Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temellko, Leko Ristoski, Kiril Todorovski, Katerina Vellovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashjakovska.

Ata dyshohen për bashkim kriminel, shkelje të së drejtës së votës, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, mitmarrje gjatë zgjedhjeve dhe votimeve, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës zgjedhore.

Në rastin “Lëndina” të akuzuar janë Dragan Pavlloviq-Llatas dhe vëllezërit e tij Sërxhan dhe Zvezdan për ndërtim pa leje të tre vikend-shtëpizave në Zelenikovë.

Sipas PSP-së, të akuzuarit kanë ndërtuar tre vikend-shtëpiza në Komunën e Zelenikovës pa pasur të drejtë për ndërtim të tillë, përkatësisht ndërtim pa leje ndërtimi. Llatas ka ndërtuar vikend shtëpizë prej 317 metrave katrorë, ndërsa vëllezërit e tij vikend-shtëpiza me kuadraturë prej 130, përkatësisht 104 metra katrorë.

Në dëshmitë e siguruara të PSP-së, mes të cilave edhe xhirime satelitore, ekspertizë, si dhe dokumentacion tjetër, këto tre vikend-shtëpiza kishin filluar së ndërtuari në vitin 2011, ndërsa leja për ndërtimin e tyre nga komuna është marrë në vitin 2013 kur tashmë ishin përfunduar. (koha.mk)

Comments are closed.