Shkup, 24 dhjetor – Në Gjykatën Penale për sot janë caktuar seanca të reja për lëndët e Prokurorisë Publike Speciale “Fortesa 2”, “Titanik 2” dhe “Tarifa”.
Në rastin “Fortesa 2”, i akuzuar i parë është ish-shefi i Drejtorisë së Pestë, Goran Grujovski dhe gjashtë të punësuar në DSK. Të akuzuarit gjykohen për falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit dhe për asgjësimin e dokumentacionit zyrtar lidhur me përgjimin e paligjshëm. Dokumentacioni lidhet me dy sistemet e përgjimit ilegal, të cilat sipas PPS-së, janë asgjësuar gjatë vitit 2014.
Lënda “Titanik 2” që ka të bëjë me parregullsi zgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2013 ndodhet në procedurë dëshmuese. Para gjykatës, siç paralajmëruan, dëshmi duhet të japin të akuzuarit Vllatko Sajkovski, Sasho Sërcev dhe Aneta Stefanovska.
Në “Titanik 2” të akuzuar janë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov si edhe ish-anëtarët e KSHZ-së, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Sërcev.
Seancë e re gjyqësore duhet të mbahet edhe për rastin “Tarifa”, në të cilin të akuzuar janë ish-drejtori i përgjithshëm i SHA ELEM, Dejan Boshkovski si edhe dy persona të tjerë.
Në këtë lëndë bëhet fjalë për akuzë për furnizimin e kundërligjshëm të sistemeve softuerike për nevojat e kompanisë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë” me vlerë prej rreth katër milionë euro.
Sipas aktakuzës së PPS-së, të akuzuarit e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe autorizimin në procedurën për furnizimin publik të softuerit – “ERP sistem”. Të akuzuarit me moszbatimin e detyrës zyrtare kanë mundësuar që personi juridik – konsorcium, i cili më vonë e ka fituar tenderin, të cilësohet në fazën e dytë të negociimit gjatë furnizimit publik, edhe pse nuk e ka dorëzuar dokumentacionin e plotë.