Shkup, 6 shtator – Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për sot janë caktuar seanca të reja për lëndët “Target- Fortesa”, “Tarifa”, “Toplik” dhe procedura e përsëritur për lëndën “Treqind” të PSP-së.
Rasti për ndjekjen joligjore të komunikimeve “Target- Fortesa” gjendet në procedurë dëshmuese dhe e udhëheq gjykatësja Zheneta Begtoviq, ndërsa përfaqësues i akuzës është Lençe Ristovska e PSP-së.
Në seancën e kaluar është dëgjuar dëshmitar i punësuar në DSK.
Sipas aktakuzës përmes tre sistemeve për ndjekje të komunikimit në DSK në periudhën prej vitit 2008 deri 2015 joligjërisht janë ndjekur 4.286 numra telefoni për të cilët nuk është dhënë urdhër gjyqësor.
Komunikimi është ndjekur para së të jepen edhe pas përfundimit të zgjatjes së vlefshmërisë së urdhrave gjyqësor të 1.541 numrave ose gjithsej 5.827 numra telefonash. Janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.
Në Gjykatë sot është caktuar seancë e re për lëndën “Toplik” i dyshuar është ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, për shitjen e tokës shtetërore për ndërtimin e kompleksit “Qyteti i diellit” në Sopishte edhe pesë persona të tjerë.
Sipas aktakuzës të PSP-së, i dyshuari i parë Janakieski, si person udhëheqës në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve , në kundërshtim me Ligjin për furnizime publike ka krijuar Komision për tenderë të cilit i ka urdhëruar të zgjedh ofertues për blerje dhe disponim me tokë shtetërore për ndërtimin e kompleksit elit “Qyteti i diellit” në Sopishte edhe pse kompania nuk i ka plotësuar kushtet për këtë.
Në gjykatë sot duhet të mbahet seancë edhe për lëndën “Tarifa” të akuzuar janë ish-drejtori i ELEM-it Dejan Boshkovski dhe dy persona tjerë. Ata dyshohen për blerje joligjore të sistemeve softuerik për nevojat e kompanisë, në vlerë prej katër milionë euro.
Sipas aktakuzës së PSP-së, të akuzuarit e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe autorizimin në procedurën për furnizim publik të softuerit – “ERP sistem”. Të akuzuarit me mosrealizimin e detyrës zyrtare kanë mundësuar që personi juridik – konsorciumi, i cili më vonë e ka fituar tenderin, të kualifikohet në fazën e dytë të negocimit gjatë furnizimit publik, edhe pse nuk ka dorëzuar dokumentacion të plotë.
Në rastin “Treqind” i akuzuar është ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme Gjoko Popovski për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë furnizimit të 300 automjeteve për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Gjykatësja Dobrilla Kacarska në maj të vitit të kaluar e dënoi Popovskin me nëntë vjet burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zbatimit të procedurës tenderiale dhe zgjedhjen e ofertës më të volitshme gjatë furnizimit të 300 automjeteve për nevojat e Ministrisë së Brendshme.
Sipas akuzës së PSP-së Popovski nuk i ka respektuar rregullat ligjore për furnizim publik dhe e ka dëmtuar buxhetin 453.570 euro.