Seanca e jashtëzakonshme ku pritet të votohet projektligji për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi është shtyrë për javën tjetër. Kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht por Klan Kosova merr vesh nga burimet e saj se kjo seancë e nisur sot pritet të vazhdojë javën tjetër. Sipas asaj që ka arritur të marrë vesh Klan Kosova, shtyrja e kësaj seance erdhi pas dakordimit mes shefave të të gjitha grupeve parlamentare. Në ndërkohë në Kosovë tashmë ka arritur një delegacion i lartë i BE-së në krye me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
Juncker i shoqëruar nga Komisioneri për Fqinjësi të mirë, Johannes Hahn dhe Shefja për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini janë duke zhvilluar një takim me presidentin, Hashim Thaçin, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e cila nisi me më shumë së një orë vonesë shkoi pothuajse menjëherë në pauzë pasi LDK-ja kërkoi që Komisioni i Punëve të Jashtme të ndryshojë tekstin e nenit 3 të marrëveshjes duke u bazuar në marrëveshjen e arritur paraprakisht mes partive shqiptare, përjashtuar Vetëvendosjen. Seanca pritej që të riniste me përfundimin e amandamentimit të projektligjit për Demarkacionin me Malin e Zi.