Seanca gjyqësore me pauza për Jankullovskën

Shkup, 16 gusht – Gjykimi për lëndën “Titanit” të Prokurorisë Speciale, në të cilin janë prezent të gjithë të akuzuarit, do të vazhdojë pas orës 13:00.

Gjykatësi Osman Shabani dha pauzë një orë, për shkak të siç tha, nevojave të të akuzuarës Gordana Jankulloska, ndërsa gjithashtu njoftoi se seancat do të mbahen prej orës 10:00 deri 12:00, më pas do të ketë pauzë një orë, pastaj sërish gjykim prej orës 13:00 deri 15:00, pauzë një orë dhe prej orës 16:00 deri 18:00 do të vazhdojë seanca.

Në seancën e sotme gjykatësi Osman Shabani njoftoi se do të prezantohen audio-incizimet (bombat), ndërsa reaguan avokatët e mbrojtjes të cilët dyshojnë për autenticitetin e materialeve të përgjuara.

Njëri nga avokatët e të akuzuarve, tha se është shkelur Ligji për mbrojtje të privatësisë që është sjellur më 10 nëntor të vitit 2015.

Për mbrojtjen, gjithashtu e kontestueshme është se në PSP ka njerëz të cilët bëjnë riinçizim të materialeve të përgjuara dhe thanë se akoma nuk kanë marrë transkripto nga provat e Prokurorisë.

Përndryshe, të akuzuarit në lëndën “Titanik” dyshohen nga PSP për shoqërim kriminel, shkelje të së drejtës së votimit, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim i materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës zgjedhore në vitin 2012.