Shkup, 22 nëntor – Dymbëdhjetë të akuzuarit në lëndën për vdekjen e voglushes Tamara Dimovska nga Velesi në seancën e sotme në Gjykatën penale, pasi që u lexua aktakuza, u deklaruan se nuk ndjehen fajtorë.
“Prej tetorit të vitit 2014 të akuzuarit si persona zyrtarë në IP kanë vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme dhe e kanë shkelur të drejtën e fëmijës Tamara Dimovska. Disa nga të akuzuarit në seancën për dhënie të vlerësimit për udhëzim të mjekimit jashtë vendit, nuk kanë miratuar një mjekim të tillë me arsyetimin se operacioni mund të bëhet në klinikën në Maqedoni, pas çka ka pasuar ratifikimi i atij vendimi nga ana e një pjese tjetër të të akuzuarve. Me këtë, të akuzuarit kanë kryer vepër penale ‘punë të pandërgjegjshme në shërbim’”, tha prokurorja Natasha Gaxhovska.
Për këtë lëndë, sipas kumtesës nga PTHP Shkup, të akuzuar janë anëtarët e Komisionit të shkallës së parë dhe atij të shkallës së dytë, të cilët e sollën, përkatësisht e konstatuan vendimin negativ për mjekim të Tamarës jashtë vendit, si dhe dy drejtorët e atëhershëm të Fondit për sigurim shëndetësor dhe kryetari i Këshillit drejtues të FSSHM-së.
Voglushja Tamara Dimovska ndërroi jetë në vitin 2015, duke pritur për operacionin në kurriz jashtë vendit.
Komisioni mjekësor i shkallës së parë për të vendosur rreth të drejtës së mjekimit jashtë vendit, ceket në aktakuzë, fillimisht e ka sjellur mendimin negativ për mjekim të Tamara Dimovskës.
Komisioni, në kundërshtim me Konsiliumin e ekspertëve të Klinikës universitare TOARILUC, ndërsa pas skadimit të afatit të paraparë ligjir ka sjellur mendim se nuk janë shterrur mundësitë për mjekim të pacientit në Maqedoni.
Seanca e re për këtë rast është caktuar për më 5 dhjetor.