Vjollca SADIKU
Dibër, 27 janar – Dibra së shpejti do të ketë edhe një objekt kapital. Pas më shumë se dy dekadave, këtë vit dibranët do të kenë një treg të ri me të gjithë standardet e kohës, shkruan gazeta KOHA. Ndërtimi i tregut të ri është drejt përfundimit dhe ai pritet të përurohet gjatë këtij viti. Kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata, ka deklaruar se tregu i përgjithshëm i Dibrës është drejt përfundimit dhe bëhet fjale për një projekt modern, i cili do të mundësojë plasmanin e të gjitha prodhimeve bujqësore dhe blerjen e tyre në kushtet adekuate, me çka do të tejkalohen problemet të deritashme .
Dibranët në 25 vitet e fundit janë ballafaquar me problemin e tregut të gjelbër dhe tregun e bulmeteve. Për shkak të ndërtimit që u bë në fillim të viteve 90-ta të një qendre tregtare, ata pothuajse mbetën pa gjysmën e sipërfaqes së tregut të mëparshëm. Projekti që u realizua, mundësonte një pjesë të tregut të mbuluar dhe një pjesë të tregut të hapur. Por, mbi dy dekada aspak nuk funksionoi pjesa e mbyllur e tregut dhe kryesisht tregtimi i prodhimeve bujqësore dhe blegtorale bëhej në një hapësirë teje të kufizuar dhe pa kushte adekuate. Sidomos, më problematike ishte pjesa e mbyllur ku ishte parapa shitja e bulmeteve . Vitet e kaluara, faktikisht kjo situatë e tregut detyronte prodhuesit dhe tregtarët që të tregtojnë mallrat bujqësore dhe bulmetet në pjesën e hapur të tregut, e cila ishte tejet e ngushtë për të pranuar tregtimin, për çka shit-blerja faktikisht bëhej edhe në rrugën që lidh dy pjesët teje të frekuentuara të rrugës në afërsi të tregut në fjalë. Sipas shërbimeve të inspektoratit nuk kishte kushte të cilët janë të parapara për tregjet e gjelbra dhe ato për shitjen e prodhimeve blegtorale. Kështu, pjesa dërmuese e prodhimeve shitej jashtë tezgave dhe në kushte jo të përshtatshme higjienike. Kjo situatë në tregun e qytetit dëshpëronte si tregtarët dhe prodhuesit, ashtu edhe konsumatorët. Dibranët ishin të detyruar që të shkojnë në treg dhe shpesh herë ishin të indinjuar për nivelin e ulët të higjienës ku i blinin prodhimet bujqësore. Reagimet ishin të shumta. Prandaj, edhe institucionet lokale disa herë tentuan që të zgjidhin problemin në fjalë. Dy vitet e fundit, në afërsi të vendbanimit Venec 2, filloi ndërtimi i një tregu modern, i cili pritet të përfundojë shumë shpejt.
Përfaqësuesit e pushtetit vendor të Dibrës theksojnë se bëhet fjalë për ndërtimin e një tregu modern të standardeve të larta. Tregu do të ketë pjesën e mbuluar, pjesën për shitjen e prodhimeve bujqësore si dhe pjesën për shitjen e bulmeteve. Po ashtu, do të ketë një pjesë me dyqane dhe një vend-parking të parametrave të nevojshme. Dibranët me padurim presin finalizimin e punimeve dhe përurimin e tregut, me çka definitivisht tejkalohet edhe problemi me tregun e qytetit, i cili i mungonte Dibrës. Duke marrë parasysh se pazari në Dibër bëhet ditëve të shtuna dhe atë ditë në qytet, përpos qytetarëve dibranë, tregtojnë edhe banorë të Zhupës dhe Rekës, por edhe banorë të viseve kufitare të Shqipërisë. Ky treg mundëson një komoditet për shitblerjen e prodhimeve dhe bulmeteve, edhe atë sipas standardeve evropiane. Ky projekt grandioz do të jetë prestigjioz jo vetëm në rajonin më të gjerë të Dibrës, por edhe në nivel të vendit. Dibranët përshëndesin këtë projekt lokal, i cili i mundëson qytetit të tyre tejkalimin e problemit të mungesës së tregut adekuat.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.