Urim HASIPI
Tetovë, 26 shtator – Ndriçimi publik është një nga problemet kryesore në shumë lagje periferike të Tetovës. Në më shumë lagje ky problem pothuajse vite me radhë nuk gjen zgjidhje ndërsa banorët gjithnjë ankohen se kanë problem gjatë qarkullimit në orët e natës, shkruan gazeta KOHA. Bëhet fjalë për lagjet në Reçicë të Vogël dhe të Madhe në Drenovec si dhe lagjen e studentëve. Në këtë lagje nuk ka ndriçim publik kurse gjatë natës, studentët, por edhe banorët e lagjeve përreth thonë se kanë probleme me mungesën e dritave. Shqetësimi më i madh është për fëmijët e tyre, të cilët në mbrëmje kthehen nga shkolla, por edhe për vetë studentët. Në këtë lagje gjendet Universiteti i Tetovës, shkolla fillore “Kirili dhe Metodi”, si dhe xhamia e “Rinisë”.
“Jo vetëm mua, por krejt studentëve që janë në këtë rrethinë po na pengon. Arsyeja është sepse ne nuk dalim vetëm në mëngjes kur ka dritë, por edhe gjatë mbrëmjes. Edhe gjatë mbrëmjes shumë po kemi problem, për shkak se mund të ketë edhe qen rrugës, edhe mundet me ndodh gjithçka e keqe”, thonë studentët. Edhe në lagjet tjera banorët janë ankuar se në shumë raste mungon ndriçimi publik edhe pse ata paguajnë për këtë qëllim.“Edhe pse qytetarët e Tetovës bashkë me faturën e rrymës e paguajmë edhe ndriçimin publik, si në qendër ashtu edhe në shume pjesë të qytetit mungon ndriçimi publik”, ankohen qytetarët në ueb sajtin E report për ankesa. Nga komuna njoftuan se kohëve të fundit është duke u punuar në përmirësimin e ndriçimit publik në më shumë rrugë dhe lagje të Tetovës. “225 shtylla të reja për ndriçim publik janë duke u vendosur në shumë lagje të Tetovës. Investimi është 18 milionë denarë, prej të cilëve 40 për qind e mjeteve janë nga Qeveria e Sllovenisë. Ky projekt është në fazën finale dhe pritet që të vihen në funksion këtyre ditëve” thonë nga Sektori për tokë ndërtimore dhe komunikacion në komunën e Tetovës. Në fillim të këtij viti, u vendos ndriçim publik edhe përgjatë trotuareve në fshatin Poroj. “Vendosim ndriçimin publik në gjithsej 25 shtylla të rrugës kryesore në fshatin Poroj. Nevojë kjo e kamotshme banorëve të kësaj ane. Prej ditëve në vijim kjo pjesë e rrugës në gjatësi prej 800 m do të jetë e ndriçuar dhe e sigurt për qarkullim të këmbësorëve edhe gjatë natës”, thonë nga komuna e Tetovës. Aktualisht është duke u punuar në lagjen Drenovec dhe më pas pritet edhe në Xhepçisht që të vendoset ndriçimi publik. Nga ky sektor njoftuan se problem në rrugët e Tetovës është dëmtimi i shenjave të komunikacionit në shumë rrugë sidomos në vendet periferike. Krahas kësaj, në këtë periudhë është duke u punuar edhe në sinjalizimin horizontal ndërsa në fazën finale është shënimi i vijave të bardha në kalimet këmbësorëve para shkollave. Po ashtu vite më radhë është duke u kërkuar ndriçim publik edhe në Kodrën e Diellit në Tetovë, por edhe atje nuk është shprehur interesim edhe pse shumë iniciativa qytetarëve kanë kërkuar që të realizohen investime edhe në këtë pikë turistike por deri më tash kërkesat kanë hasur në vesh të shurdhër.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.