Ajo e “San Paolos” ishte nata e Gonzalo Higuain. “El Pipita”, pavarësisht nga problemi në dorë, ka nënshkruar golin vendimtar, që lejoi Juventusin të fitojë në fushën e Napolit dhe të shkojë në -1 pikë në renditje nga napoletanët. Kryesisht, argjentinasi donte të qartësonte parandeshjen e tij kundër “urrejtësve” të lumtur për lëndimin e tij: “Ndonjëherë është mirë të thuash çfarë mendon dhe ndien. Secili është i lirë të thotë të vetën: ka nga ata që më duan më keq dhe nga ata që gjithmonë më mbështesin. Operacioni ishte një gjë e vështirë për t’u vendosur, por ishte gjëja më e mirë për t’u bërë për shëndetin tim. Doja të isha në dispozicion të ekipit sa më shpejt, sepse e dija sa e rëndësishme ishte kjo ndeshje”. Sulmuesi argjentinas ishte i gëzuar me zgjedhjen e Allegrit për ta dërguar atë në fushë që nga minuta e parë: “Trajneri vendosi të më hidhte në lojë si titullar, unë u përpoqa të bëja më të mirën. Nuk isha në 100%, por fatmirësisht fituam një ndeshje të komplikuar, kundër një skuadre të madhe. Janë tri pika themelore për kampionatin”.
Ngazëllimi “alla Toni” dhe dora në ballin e tij gjatë festimit të golit ishte për ish-presidentin Aurelio De Laurentiis: “Më pëlqen të flas për golin. Festa ime? Nuk e pashë De Laurentiis, ndoshta ai ishte fshehur dhe nuk e gjeta dot atë për t’iu drejtuar. Me shokët kam një marrëdhënie të mirë, kam jetuar për tre vjet me ta dhe ne kemi një miqësi të bukur.” Higuain falënderoi edhe ish-trajnerin e tij, Maurizio Sarri: “Unë e kam thënë edhe më parë se miqësia ime me Sarrin shkon përtej futbollit. Ai më përmirësoi si futbollist, ashtu si Allegri është duke bërë. A u ndjeva keq nga disa kore të tifozëve të Napolit? Shikoni, mendimet e mia për tri vitet që kam jetuar këtu nuk do të ndryshojnë kurrë. Ata mund të fyejnë apo të vërshëllejnë, por unë këtu kam miq dhe kam jetuar vite të mrekullueshme”.