Laura PAPRANIKU
Shkup, 8 gusht – Përcaktimi në masë të madhe i nxënësve për lëndën e anglishtes, kur për provimet e maturës shtetërore të njëjtit duhet të zgjedhin mes kësaj lënde dhe matematikës, nuk është aspak tregues i sigurisë dhe njohurive të nxënësve, shkruan gazeta KOHA. Përkundrazi, megjithëse pjesa dërmuese e nxënësve shmangi matematikën si provim mature, suksesi që tregojnë në provimet përkatëse është dukshëm më i lartë sesa suksesi në provimet e anglishtes. Në thuajse të gjithë historinë dhjetëvjeçare të organizimit të maturës shtetërore në Maqedoni, nota mesatare e matematikës është me e lartë se mesatarja e notave të gjuhës angleze. Pra, pavarësisht treguesve për përcaktimin e shumë pak nxënësve në provimet e matematikës, notat që marrin në këtë lëndë janë shumë më të mira krahasuar me notat e gjuhës angleze që kryesisht e zgjedhin nxënësit për provim. Ky fenomen, në dukje paradoksal – konfirmohet edhe përmes të dhënave zyrtare të Qendrës Shtetërore të Provimeve për mesataren e notave të fituara të nxënësve në secilën lëndë veç e veç. Kështu, për shembull në vitin 2013 dallimi ishte për një notë diferencë. Do të thotë, nëse mesatarja e notave të fituara nga të gjitha provimet e anglishtes ishte 2.87, kurse në lëndën e matematikës ishte 3.87. Viteve në vijim, dallimi në mesataren e notave të këtyre dy lëndëve ka ardhur duke u ngushtuar, por megjithatë – mesatarja e notave të matematikës mbetet dukshëm më e lartë se sa mesatarja e notave të anglishtes. Në vitin 2016, dallimi ishte për një gjysmë note më shumë në favor të matematikës, konkretisht 3.30 me 3.00. Ka vite, si 2012 dhe 2013, kur në provimet e maturës shtetërore lënda e matematikës është në epërsi edhe me gjuhët tjera të huaja: frëngjishten, gjermanishten dhe rusishten, të cilat janë gjithashtu në listën e lëndëve zgjedhore për provim të dytë të maturës shtetërore dhe që njëkohësisht zgjidhen nga numër i vogël nxënësish. Këto dy vite, derisa mesatarja e anglishtes ishte 2.94 dhe 2.87, mesatarja e gjuhëve tjera të huaja ishte 3.02 dhe 3.41, mirëpo mesatarja e notave në lëndën e matematikës për këto dy vite ishte 3.84 dhe 3.83. Në kohën kur nxënësit i frikësohen matematikes (gjykuar mbi përqindjen e madhe të nxënësve që e shmangin këtë lëndë si provim mature), suksesi më i lartë i notave në këtë lëndë për pedagogët dhe mësimdhënësit nuk është e papritur. Matematikën, shpjegojnë ata, e zgjedhin nxënës që vërtetë janë të mirë, shembullorë në mësime dhe që kanë nota të larta në këtë lëndë. “Nxënësit jo të mirë, që nuk kanë siguri as në matematikë dhe as në gjuhë të huaja, meqë patjetër duhet të bëjnë një zgjedhje përcaktohen për njërën preh gjuhëve të huaja”, thotë për KOHA Safet Emini, profesor i matematikës në shkollën e mesme “8 Shtatori” në Shkup. Për këtë arsye, shpjegon më tej ai, edhe notat që marrin nxënësit në provimet e dyta të maturës shtetërore janë më të dobëta kur zgjedhin anglishten apo ndonjë gjuhë tjetër të huaj. Ndërkaq, lidhur me suksesin në përgjithësi të maturës shtetërore, nga viti në vit dalin të dhëna interesante. Suksesi më i dobët i treguar ndonjëherë i nxënësve është ai i vitit 2010, me mesatare 2.97. Ndërkaq, në pesë vitet e fundit, suksesi më i dobët u shënua në vitin 2012 me mesataren e të gjithë lëndëve ishte 3.09. Në vijim të kësaj, e përbashkëta e të gjitha viteve të mëpastajshme është se matura shtetërore në Maqedoni nuk ka arritur të ngjitet asnjëherë deri te nota katër. Tani e 10 vite sillet ndërsa nxënësit assesi të lëvizin nga treshi e që në shkallën e vlerësimit të dijeve, është i barabartë me “mirë”, por jo edhe me “shumë mirë” apo “shkëlqyeshëm”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.