Sergjio Aguero beson se ai është në formën e jetës së tij, pasi ka thyer rekordin e Mançester Sitit, por ka shtuar edhe njëherë konfuzionin mbi situatën e kontratës, duke thënë se “nuk e di se sa vite kanë mbetur në marrëveshjen e tanishme”. Aguero e kapërceu rekordin e Erik Bruk, i cili kishte qëndruar për 78 vjet në fuqi, duke shënuar golin e tij të 178-të për Mançesrer Sitin, në fitoren 4-2 në Napoli, të mërkurën në mbrëmje. Me 9 gola në 11 ndeshje deri tani, në sezonin aktual, Aguero beson se është në krye të lojës së tij tani. “Po, unë mendoj kështu”, – u përgjigj argjentinasi kur u pyet nga gazetarët për formën e tij. –
Këtë sezon mendoj se po luajmë shumë mirë, por sezonet e tjera janë të ndryshme. Kjo vjen për shkak se tani kemi një trajner të ndryshëm, lojtarë të ndryshëm. Këtë sezon kemi lojtarë të rinj, që janë shumë të mirë. Sezoni sapo ka filluar, dy muaj e gjysmë ka, apo diçka më shumë, kështu që ka ende një rrugë të gjatë për t’u përshkuar. Individualisht dhe kolektivisht mendoj se e kemi filluar shumë mirë, por duhet të vazhdojmë kështu. Ne të gjithë e dimë se ka shumë lojëra në Angli dhe ne duhet të jemi në gjendje të mirë fizike për atë që do të vijë”, deklaroi sulmuesi argjentinas.
Edhe pse e ardhmja e 29-vjeçarit duket të jetë në Mançester , megjithatë rrethanat që kanë të bëjnë me marrëveshjen e tij të tanishme me klubin janë të paqarta. Aguero e zgjati kontratën e tij për një vit, deri në vitin 2020, mbi 18 muaj më parë, por një njoftim zyrtar nuk është bërë kurrë nga klubi. Teksa u pyet në shkurt, se kur skadon marrëveshja e tij, Aguero tha në vitin 2020, por i ka pohuar medias argjentinase se kjo ndodh në fakt më 2019. I pyetur nëse mund të sqaronte situatën mbrëmjen e së mërkurës, ai vetëm i turbulloi ujërat më tej: “Nuk e di, nuk mbaj mend!”, përfundoi ai.