S’doja ta quaja Hannibal Lecterin hero (FOTO)

39

Pjesë e përkthyer nga Albanian Post, nga intervista e Anthony Hopkins për “The New Yorker”, me titullin “Anthony Hopkins Rembers It All”, nga intervistuesi Michael Schulman

PËR MUZIKËN, KOMPOZIMIN, DHE PIKTURËN. Kam filluar që kur isha fëmijë. Isha pesë vjeç. Nëna ime më çoi të ndjek mësime të muzikës, dhe po, kam mësuar. Provoja të luaja pjesë të vështira të Rachmaninoff-it, Chopin-it, dhe Scriabin-it. Nuk kam ambicie të luaj në Carnegie Hall ose diçka të ngjashme, por e bëj për pikën e kënaqësisë sime. Kam një piano të markës Bösendorfer, dhe fshihem në bodrum që mos të shqetësoj njeri. Dhe pikturoj. Gruaja më bëri të pikturoj disa vite më parë, sepse kishte gjetur disa piktura të vjetra të mia. Kështu që tash shes piktura, dhe bile ka edhe njëfarë tregu të majmë për to.

Po të tregoj diçka interesante, që për mua ishte zbulim. Para disa viteve, Stand Winston, i cili kishte krijuar përbindëshat për Jurassic Park, erdhi për piknik ose diçka kështu, dhe u fut në studion time ku pa pikturat. Ai më tha “Kush i ka bërë këto?”, disi ula kokën dhe thash “Po, unë”. “Pse po e shtrembëron fytyrën ashtu?”, unë i thash se “Nuk kam ndonjë trajnim paraprak”. Ai më tha “Për çfarë trajnimi e ke fjalën? Ti paske. Vetëm pikturo”. Dhe kam zbuluar që kjo është filozofi e mirë e jetës. Mos mendo shumë. Vetëm bëje.

ANTHONY HOPKINS KOMENTON LLOGARINË E TIJ NË INSTAGRAM. Filloi me Mark Wahlberg. Po punoja në Oxford në filmin e Michael Bay-t [“Transformers: The Last Knight”], dhe ai më tha “Dua që ti të jesh në Twitter dhe të bësh tweet-a”. Nuk e kisha idenë për çfarë po fliste. Jam paksa i paditur në këso gjëra. Gruaja ime më inkurajoi ta bëj, veçanërisht në këto kohë të vështira. E kam fjalën për atë, se miliona e miliona njerëz nuk mund të dalin jashtë ambienteve të tyre. Kështu që mundohet të dërgoj mesazhe gëzuese. Aq keq që jemi si njerëzim, mund të gjejmë një rrugëdalje nga kjo. Unë jetoj me optimizëm.

PËR FILMIN ‘BABAI’ KU LUAN PERSONAZHIN ME PROBLEME MENDORE (DEMENTIA) Unë kurrë nuk kam përjetuar probleme mendore si dementia në familjen time. Babai im kishte vdekur nga një sëmundje zemre. Kurse nëna nga mosha e shtyrë, në fakt, tetëdhjetë e nëntë vjeçare. Unë kam parë dementia-n vetëm një herë, të vjehrrit të një miku timi. Familja e tyre duhet ta përballonin, duhet të kishin durim. Ai mendonte se oqeani Paqësor ishte lumi Hudson, dhe se vajza e tij është bashkëshortja. Dhe i dëgjoja kur i thoshin “në rregull është, babë”. E mbanin duke shikuar televizion, dhe ai vdiq paqësisht.

Por, të jap një përgjigje më të thjeshtë: nëse përcjellë një skenar fantastik, gjuha është harta e rrugës, dhe kështu s’ke nevojë të aktrosh. Më kujtohet dita e parë me Olivia Colman-in, skena e parë së bashku, ajo futet në dhomë dhe më thotë “Ç’po ndodh? Çfarë ndodhi?” – për gruan që pushova nga puna. “Çfarë po thua, si çfarë ndodhi?”. Këto fjalë qartazi tregojnë irritim dhe gjaknxehtësi. Dhe pastaj fillon të punosh me dikë si Olivia, dhe bëhet shumë më e lehtë. S’kërkohet fare aktrim. Dhe mendoj, sepse jam tetëdhejtë e tri vjeçar, jam afër asaj moshe, atë moshën e rrezikshme kur kjo mund të ndodhë. I lutem zotit që jo. Për këtë arsye luaj piano, pikturoj dhe mësoj poezi.

PËR ROLIN TE “MBRETI LIR”. Këtë rol e kam luajtur para tridhjetë vitesh, kur David Hare e shfaqi në teatrin kombëtar, dhe teknikisht isha OK. Por, ende isha shumë i ri. Kurse herën e fundit që e kam luajtur këtë rol, isha tetëdhjetë vjeç, kështu që për mua ishte e lehtë. Mendoja, do ta luaj sikur të ishte një ushtar i vjetër dhe i ashpër që s’ka pikë dashurie – ose dashuria e turpëron atë. Atij s’i pëlqejnë dy bijat e tij të para. Njërën vajzë e do, por e trajton si djalë. Historia në prapavijë të kësaj ishte gruaja ime vdiq duke lindur Cordelia-n. Kështu që e trajtoj atë si djalë të ri dhe i jap mundime, në vend se ta trajtoj si një vajzë të re, por kjo ishte mënyra e vetme si t’ja shfaqja dashurinë. Dhe pastaj, kur ajo thotë “Mirë, s’kam nevojë për dashuri”. Por në fakt, e shkatërron atë, e shkatërron përbrenda. Dhe, në fund, ai vetes ia pranon, “Kam qenë i marrë tërë jetën, sepse s’kam dashuruar kurrë”.

PËR ROLIN E “HANNIBAL LECTER”. Kur agjenti im më dërgoi skriptën para tridhjetë vjetëve, e telefonova dhe i thash “Kjo pjesë është e hatashme. S’dua më të lexoj”. Jonathan Demme, regjisori, erdhi të më takonte ditën tjetër në Londër. I thash “a është e vërtetë kjo? Doni që unë ta luaj?”. Ai më tha se po. Thjesht e dija si do ta luaja. Më kujtohet kur pata lexuar një libër për një vrasës serik famëkeq – Ted Bundy – dhe mendova, nuk dua më të lexoj këso gjërash. Janë të shpifura. Nuk dua ta bëj Hannibal Lecter-in hero.

Më kujtohet që ditën e parë Jonathan Demme tha – ishte e hënë, janar, 1990 – “Si mendon të dukesh kur Jodie zbret poshtë në korridor”, i thash “Duke qëndruar mu në mes të qelisë”. Më tha “Në këmbë? A s’dëshiron të jesh duke lexuar”, “Pse”, i thash “Unë mund ta nuhas atë kur i zbret shkallët”. “Ti je i çuditshëm”, më tha John-i. Ai është njëfarë dashnori, në njëfarë mënyre, sepse i bën përshtypje, që një grua, e re, tërheqëse, fizikisht e prekshme, vendosë të shkoj të vizitojë përbindëshin. Por tani do ja zhvesh maskën, që të mësojë nga unë. E zhveshë atë për ta bërë person më të mirë.