Kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se nuk ka vërejtur ndonjë ndryshim në qëndrimin e liderit rus Vladimir Putin, me të cilin ditën e djeshme pati një bisedë telefonike për më shumë se një orë.
Në një intervistë për T-online, duke i’u referuar pasojave në tregun e grurit, Scholz tha se për shkak të idesë së çmendur të Putinit për zgjerimin e perandorisë ruse, si Rusia ashtu edhe e gjithë bota po paguajnë një çmim të lartë.
Ai shtoi se “Putini duhet të kuptojë se e vetmja rrugëdalje është një marrëveshje me Ukrainën”, ndërsa NATO-ja, “jo vetëm që nuk është tërhequr, por është forcuar në krahun lindor dhe Aleanca do të bëhet edhe më e fortë me hyrjen e Finlandës dhe Suedisë”.
Kurti: Serbia nuk dëshiron marrëveshje me Kosovën, Perëndimi t’i thotë se nuk mundet më kështu
Prishtinë, 14 maj 2022 (MIA) – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se Serbia nuk dëshiron marrëveshje me Kosovën dhe se arsyeja për këtë është që presidentit serb, Aleksandar Vuçiq i pengon progresi që e shënon shteti kosovar, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Duke e komentuar përpjekjen e djeshme të pasuksesshme në Bruksel, me ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak për t’u arritur marrëveshje midis dy shteteve për përdorimin e targave automobilistike të regjistrimit nga njëri në shtetin tjetër, Kurti kërkoi nga Lajçaki publikisht të tregojë se “cila prej palëve nuk ka qenë konstruktive”.
“Unë nuk kam dilema. E di se kryenegociatori ynë (zëvendëskryeministri, Besnik) Bislimi ka qenë konstruktiv dhe kreativ, por është e qartë se Beogradi nuk është i interesuar të ketë marrëveshje. Ne aspak nuk dëshirojmë ta lëmë në pikëpyetje parimin e reciprocitetit. I takon ndërmjetësit të japë shpjegim se pse konkretisht nuk është arritur marrëveshje, e cila ka qenë shumë pranë dhe për të cilën edhe Lajçaku është angazhuar shumë”, deklaroi Kurti për servisin publik, RTK.
Shefi i Qeverisë së Kosovës thotë se Beogradi kohëve të fundit “është duke e përforcuar agresivitetin ndaj Kosovës”, pasi presidentit serb Vuçiq i pengojnë “sukseset e Kosovës… në të gjitha fushat”.
“Presidenti serb e përforcon agresivitetin ndaj Kosovës dhe jam i bindur se kjo është për shkak të sukseseve të Kosovës. Ne kemi progres në të gjitha fushat dhe kjo i pengon atij”, tha Kurti.
Ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar që t’u thonë autoriteteve serbe se “më nuk mund të vazhdojnë kësisoj”.
“Ne jemi duke e bërë punën tonë, por duhet edhe zyrat perëndimore t’i thonë Beogradit se nuk mund të vazhdojnë kështu”, tha Kurti. /tv21