Scholz “përgënjeshtron” Putin: Presioni ndërkombëtar ka reduktuar kërcënimin bërthamor

Një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se kërcënimi i një lufte bërthamore po rritet, vjen reagimi i kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Në një intervistë të botuar sot në mediat gjermane, kancelari Olaf Scholz ka deklaruar se rreziku i përdorimit të armëve bërthamore nga Moska në konfliktin në Ukrainë është ulur falë presionit ndërkombëtar ndaj Rusisë.

“Një gjë ka ndryshuar për momentin. Rusia ka ndaluar së kërcënuari se do të përdorë armë bërthamore. Dhe kjo ishte pasojë e faktit se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe Kinën, “vuri një vijë të kuqe” për këtë çështje”, tha kancelari gjerman.

Duke folur në takimin vjetor të këshillit rus të të drejtave të njeriut, presidenti Putin këmbënguli se Rusia nuk ishte “çmendur” dhe nuk do të përdorte armët e saj bërthamore e para. Sipas tij, Rusia do të përdorte vetëm armë të shkatërrimit në masë në përgjigje të një sulmi.