Ish-futbollisti i Manchester United, Paul Scholes, lëshon një tjetër “shigjetë” në drejtim të Paul Pogbasë, duke u shprehur se francezi “mendon se është më i miri” dhe “po jeton në botën e tij të fantazisë”.
Duke iu referuar zërave për një kalim të kampionit të botës me Francën në radhët e Realit të Madridit, Scholes thekson se largimi i tij nuk do të ishte ndonjë humbje e madhe për “Djajtë e Kuq”.
“Në vitet e shkuara, United ka humbur lojtarët më të mirë dhe sërish largimi tyre nuk ka ndikuar. Imagjinoni emra të tillë si Roy Keane, David Beckham, Cristiano Ronaldo, Ruud van Nistelrooy. Të gjithë lojtarë kryesorë, që u largohen nga klubi. Ne të gjithë e njohim Pogbanë, flasim për potencialin e tij, por ai është 26 vjeç dhe duhet të ketë vazhdimësi javë pas jave. Ai ndoshta ka nevojë për një Bryan Robson ose një Roy Keane pranë tij vetëm për ta shkundur herë pas here, ndryshe do të jetojë në botën e tij të vogël të fantazisë, duke menduar se është më i miri “.
Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka folur më parë me admirim për bashkatdhetarin e tij dhe gjigantët spanjollë thuhet se po bëjnë një lëvizje për 26-vjeçarin. Sipas “AS”, shokët e ekipit e kanë ngacmuar Pogbanë rreth këtyre lajmeve, duke i thënë: “Nëse do të shkosh atje (te Reali), na fto dhe ne kur të luash në “Bernabeu”.
Pogba, i cili është përfshirë në skuadrën më të mirë të Premier League-s së këtij sezoni, luajti 90 minuta të plota të dielën në barazimin 1-1 me Chelsae-n në “Old Trafford”, rezultat që u dha një goditje të rëndë shpresave të Unitedit për t’u renditur në katër vendet e para. Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje në Premier League, Djajtë e Kuq” renditen në vendin e gjashtë, tri pikë prapa Chelseat (vendi i katërt), që ka gjithashtu edhe golaverazh më të mirë.