Schalke është ndarë nga mbrojtësi 36-vjeçar Naldo, duke e lejuar të bashkohet me Monaco-n, klub mjaft aktiv në merkaton e janarit, sepse po afron lojtarë me eksperiencë për të dalë nga situata shumë e vështirë në të cilën ndodhet në Ligën 1.
Braziliani (me pasaportë gjermane) luante në Bundesligë prej më shumë se 13 vitesh, duke qenë një lojtar kyç te Werder, Wolfsburg e Schalke, ku luan prej 2016.
Megjithatë, këtë sezon hapësira për të ishte e paktë, ndaj ka zgjedhur të shkojë te Monaco, ku Henry kërkon urgjentisht të rregullojë problemet e prapavijës. 1 milion euro ka paguar Monaco për veteranin e mbrojtjes, i cili ka firmosur deri në qershor 2020.
THANK YOU FOR EVERYTHING, #NALDO! 💙💙💙💙#s04 pic.twitter.com/Xm0aeXzlZZ
— FC Schalke 04 (@s04_en) January 3, 2019
Ndarja nga Schalke nuk ka qenë aq e qetë për Naldon, i cili nuk ka folur vetë, por qenë bashkëshortja e tij Carla ajo që u ka dhënë lamtumirën tifozëve me një postim në Instagram dhe ka sulmuar trajnerin e Schalkes, Domenico Tedesco.
“Sezonin e shkuar Naldo ishte më i miri, tani pas 4 ndeshjesh Naldo është plak, i ngadaltë dhe jo më aq i rëndësishëm? Vërtet? Nuk e kuptoj më botën. Falënderoj klubin dhe tifozët e mrekullueshëm, do na mungojë atmosfera madhështore, Schalke është mbi të gjithë”.
Schalke 04 ka reaguar qetësisht ndaj kritikave të bashkëshortes së Naldos, sepse drejtori sportiv Christian Heidel komentoi për Bild: “Nuk i lexoj postimet në rrjetet sociale, as të lojtarëve e as të bashkëshorteve të tyre. Për mua rëndësi ka ajo që thotë Naldo dhe me të gjithçka është në rregull”.