Mendoje sërish, rishikoje këtë djall të mbrapsht që po të merr hovin çdo ditë! Ndalo së menduari se ne s’bëheshkemi e në atë çast do marrësh fuqinë dhe fatin tënd në duart tua e do e bësh ashtu siç t’a do ty lugu i shpirtit! Ti nuk ke nevojë të bëhesh, ti je! Pastaj …ky është vetëm fillimi…vazhdoje me zjarr e pasion! Hiqe nga mendja atë mut fjalë : s’bëhemi ne dhe zëvendësoje me : o do bëhem bre njëqind herë më i/e mirë se sa që jam!
Nga Adelina MARKU
Ajo filozofia “s’bëhemi ne, kot e kemi!”, është prodhim dhe rezultat i propagandës që lufton kundër indit tënd, luftë kjo zhbëse e bëme për me të dobsu e me të përzënë! Më ndje pak , dua të të them se nuk e thua ti këtë konstatim, t’a ka imponuar dikush tjetër! Ti vetëm e ke përvetësuar në vazhdimësi, pa e menduar dëmin që po ia sjell vetes! Ndalo! Mendoje pak! Boju i/e mençur! Këtë gjykim defetist e propagandojnë ata që vërtet nuk duan të bëhemi! Je dakord? Kur ata e propagandojnë këtë cop fjalie vazhdimisht e për të na dëmtuar indin, zhvillimin dhe rritën , shpesh e gjejmë veten të futur në këtë grackë e të indoktrinuar kryekëput nga kjo gjëmë; – saças mendojeni- se sa herë e keni përdorur të njëjtin gjykim e keni thënë : “o ne s’bëhemi!”. Gjëmimi i vazhdueshëm i kësaj fjalie- tip gjykimi, që duket lehtësisht e dalë nga brendia jonë – thu ti me mendjelehtësinë kozmike, ka të bëjë me neurolinguistikën dhe, kjo fushë shkencore është aq shumë me ndikim në politikë e sidomos në propagandimin e shpresës ose defetizmit ndër masën, ndër ne ! Përmes fuqisë së neurolinguistikës në politikë, krijohet emocioni pozitiv ose ai negativi për veten ose për tjetrin! Kjo, ka fuqinë e projektimit të të ardhmes. Ajo ty , e ardhmja pra, mund të të duket e pashpresë dhe ti ik gjetiu tuj lyp shpresën nalt e posht, aty ku nuk folet propaganda e shtëpisë, aty ku nuk e dëgjon fjalën: s’bëhemi ne! Nëse e dëgjoni veten të thoni pothuajse çdo ditë : “ah, po s’bëhemi ne!” – dijeni, këtë nuk e thoni ju, por e thotë ajo shkollë e propagandës që jua ka mësuar të zhvilloni ndjenjën e defetizmit brenda vetes. Ajo shkollë që ju ka indoktrinuar mënyrën e të menduarit! Pra, ti ke harruar se transformimi në të vërtetë ndodhi në jetën tënde , ti ke harruar të mëndosh se ku ishe dje e ku je sot! Sepse kur ndalon së menduari për djeshin, ti thjesht nuk e do të ardhmen! Kur ke menduar herës fundit për të ardhmen e fëmijëve tu?! Hmmmm, s’din t’a mendosh apo! Sepse nuk t’a le t’a bësh këtë vetëkritikë kjo propagandë djallëzore që të thotë vazhdimisht: o kot e ki, se s’vyjm gjo ne! Sepse nuk të len kthjellim truni kjo propagandë e keqe që thotë vazhdimisht e në brendinë tënde se ne shqiptarët nuk e duam njani tjetrin, se jemi mallkim për veten! Po nëse nuk e paskeshim dasht ne veten , pse more nuk hoqëm dorë nga vetja jonë asnjëherë!!!??? Ja , dhe unë që shkruaj shqip sot e tani, jam argument i gjallë se nuk heq dorë nga vetja ime dhe nga puna për t’a bërë veten më të mirë se sa që isha dje ; por jo vetë, këtë rritje e bëj me të tjerët si unë . Unë rritem me të tjerët që janë më të mirë se unë ! E vërteta e madhe është se këtë propagandë ne e kemi përvetësuar me mendjelehtësi ( e kjo për shumë arsye kontekstuale : vonë u shkolluam, vonë hymë ne institucione, vonë e kuptuam fuqinë e vetëbesimit prandaj dhe vonë do lidhemi!) dhe tani jemi bërë promotorë të saj edhe vetë, aq sa ajo është bërë pjesë e narativës sonë ditore. Përsëri, mendoje saças ; pra shko në treg: s’bëhemi ne!, shko në shkollë: s’bëhemi ne!, shko në institucione shtetërore: s’bëhemi ne! shko në mjek: s’bëhemi ne!, eja në familje: “s’bëhemi ne!”…
Miku im , mikesha ime , ndalo së menduari kësisoj! Thjesht ndalo së menduari kësisoj! Ose , lexoje disa herë këtë kolumnë dhe më jep të drejtë edhe mua por edhe vetes tënde tek gjykoj se ne jemi më të mirë se sa që ishim dje e se në emër të një Zoti, ne do bëhemi edhe më të mirë se sa që jemi! Por ama , hiqe nga mendja fjalën : s’bëhemi ne ! Sepse atë fjalë e dëgjon djali dhe vajza jote që ke pranë . E ata i ke pjellë që të bëhen, apo! Ky vetëindoktrinim nga kjo filozofi defetiste e e propaguar politikisht, po të shkatërron! …Thjesht, çliroju nga ky indoktrinim i keq e tinëzar, sepse të bën djall për veten tënde!
E kur do bëheshkemi ne!? Ose, kush duheshka të na bëjë neve nëse nuk e bëjmë dot veten?! A? Mendoje sërish, rishikoje këtë djall të mbrapsht që po të merr hovin çdo ditë! Ndalo së menduari se ne s’bëheshkemi e në atë çast do marrësh fuqinë dhe fatin tënd në duart tua e do e bësh ashtu siç t’a do ty lugu i shpirtit! Ti nuk ke nevojë të bëhesh, ti je! Pastaj …ky është vetëm fillimi…vazhdoje me zjarr e pasion! Hiqe nga mendja atë mut fjalë: s’bëhemi ne dhe zëvendësoje me: o do bëhem bre njëqind herë më i/e mirë se sa që jam!
Leni mendjes hapësirë…ndalo barkun fukara …bëju Zot në shpinë tande!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)