Shkup, 24 prill – Dënimi i shqiptuar nga gjykatësja e Gjykatës Shkupi 1 është jashtë kuadrit të praktikës gjyqësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kështu shprehet për gazetën KOHA avokati Bashkim Ameti, ndërsa thotë se praktika gjyqësore askund në botë nuk njeh dënime të këtilla në raste si ajo e “Sazdovskit”.
“Nëse merret dhe analizohet praktika gjyqësore për raste të këtilla dhe të ngjashme si kjo, do të konstatohet se dënimet janë dukshëm më të ulta se sa dënimi që u shqiptua për të akuzuarit Bela dhe Demiri. Jeta e gjithsecilit qytetar duhet të mbrohet nga forca e Ligjit, pa dallim etnie e statusi civil, por edhe ndëshkimet duhet bazuar në ligj dhe në praktikën gjyqësore. Kurse vendimet gjyqësore nuk duhen keqpërdorur nga partitë politike për poenë politik, sepse çdo koment politik vetëm se shkon në dëm të drejtësisë së vërtetë. Prej nesër, sytë e opinionit duhet drejtuar nga Gjykata e Apelit, e cila është vendi ku duhet rishqyrtuar ky vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë”, thotë Ameti. (koha.mk)