Almiri e Sazdovski kanë ngjashmëri edhe nga një kënd tjetër e që lidhet me protestat para Prokurorisë Publike, me të cilën për më tepër se një vit udheheq Lubomir Joveski, kryeprokurori “reformator”. Po po, është pikërisht ky ai prokuror që fare nuk i përfilli protestat dhe reagimet për rastin e Almirit, ndërsa nën presionin dhe protestat e “Komitave” dhe mbështetësve të tyre, vendosi që të akuzuarit për Sazdovskin, të ngarkohen si “vrasës mizor”
Nga Omer XHAFERI
Gati dy vite nga qeverisja e pushtetit të ri, që vazhdon të proklamojë “Jetë për të gjithë”, reformat në gjyqësor nuk duken askund. Zhvillimet e rëndësishme politike në vend, siç ishte rasti i Referendumit dhe tani ai i ndryshimeve Kushtetuese në Parlament, jo vetëm se i lanë nën hije këto reforma, por kanë ndikuar që edhe vëmendja e opinonit të përqëndrohet në temat e apostrofuara.
Prej te “Sopoti” e te rasti “Alfa”, duke vazhduar me Naser Eshtrefin e deri te vogëlushi Almir Aliu, gjyqësori në Maqedoni vazhdimisht ka qenë i njëanshëm dhe selektiv në ndarjen e drejtësisë. Në këtë drejtim po zhvillohet edhe procesi gjyqësor kundër Besir Belës dhe Skender Demirit, të akuzuar për vdekjen e “Sazdovskit”, një proces ky që po tentohet të paraqitet si i rëndomtë gjyqësor, duke mos pasur parasysh se ndaj tyre është ngritur një aktakuzës që aspak nuk përputhet me veprimet e të akuzuarve.
“Vrasje në mënyrë mizore” është aktakuza e rikualifikaur e Prokurosisë së Shkupit, e cila edhe pse në fillim të korrikut të këtij viti – Belën dhe Demirin i dyshoi si “dhunues” të “Sazdovskit”, tani akuzën, nën presionin e opinionit maqedonas, e mbështet kryesisht në rrëfimet e dëshmitarëve dhe në ekspertizën e Institutit për mjekësi ligjore. Por, ja që Mile Aleksovski, njëri prej dëshmitarëve nga vendi ngjarjes, i cili mbrëmjen e kombshme të 29 qershorit nga afër i kishte parë të gjitha zhvillimet, i propozuar nga vetë Prokuroria e Shkupit, tregoi qartë se si Besir Bela, Skender Demiri e Jeton Luzha e kishin ndalur të ndjerin Sazdovski dhe pas vërtetimit se bëhet fjalë për të njëjtin, kishin filluar ta godasin.
Sulmin, goditjet dhe pjesëmarrjen në vepër, në asnjë moment Bela e Demiri nuk kanë mohuar. Megjithatë, për ata dhe avokatët e tyre, e papranuar është kualifikimi si “vrasës mizorë”.
Ndërkohë, siç tha dëshmitari i prokurorisë, Aleksovski, e gjithë ngjarja është zhvilluar shumë shpejtë dhe e njëjta nuk ka zgjatur më tepër se një minut. Për dallim nga Prokuroria, e cila i ngarkon të akuzuarit se edhe pas rrëzimit në tokë, kanë vazhduar me goditje ndaj të ndjerit, dëshmitari tha se Besir Bela, të ndjerit Sazdovski i kishte dhënë një goditje në pjesën e qafës, ndërsa Demiri e Luzha ishin larguar menjëherë drejtë veturës.
Nga ana tjetër, nëse bëhet paralelja mes rasti të vogëlushit Almir Aliut dhe Nikolla Sazdovskit, mund të shihet qartë qasja tendencioze e Prokurorisë, e cila në rastin e parë, edhe pse sipas të gjitha dëshmive kishte “vrasje me paramendim”, veprën në fund e prezantoi si “aksidet me pasoja vdekje”.
Përvec këtij elementi, Almiri e Sazdovski kanë ngjashmëri edhe nga një kënd tjetër e që lidhet me protestat para Prokurorisë Publike, me të cilën për më tepër se një vit udheheq Lubomir Joveski, kryeprokurori “reformator”. Po po, është pikërisht ky ai prokuror që fare nuk i përfilli protestat dhe reagimet për rastin e Almirit, ndërsa nën presionin dhe protestat e “Komitave” dhe mbështetësve të tyre, vendosi që të akuzuarit për Sazdovskin, të ngarkohen si “vrasës mizor”.
Me të vërtet ky procedim i Prokurorisë Publike nuk ka ndryshe si të inteprotohet, por se ato kanë urrejtje patologjike ndaj gjithçkaje që është shqiptare. Parlamenti si institucioni më i lartë në vend kur e ka përpiluar kualifikimin për vrasje në mënyrë mizore, e ka cilësuar si vepër e cila viktimën e bën të vuaj shumë, të ketë dhimbje të mëdha fizike e psikike, të matlretohet e torturohet gjatë gjithë kohës. Tutje, ai ka shtuar se për të ekzistuar kjo vepër, kryerësi i veprës duhet të ndjej kenaqesi gjatë “vrasjes së vrazhdë”. Sidoqoftë, një gjë është e qartë se Bela e Demiri për gjithcka mund të akuzohen e dënohen, por në asnjë mënyrë për “vrasje mizore”, “të pashpirt” e “monstra”, kualifikime këto që aspak nuk dallojnë nga masakrat.
Dhe ne, vazhdojmë të gënjehemi se reforma gjyqësore dhe drejtësi për të gjithë do të ketë. (koha.mk)