Shkup, 21 korrik – Gjithçka është gati lidhur me spektakltin e 23 korrikut në Gostivar, të emëruar si “Nata e Gladiatorëve”, e ku kryefjala do të jetë meçi për titullin e kampionit të Evropës në kick box, mes Sazan “Kimbo” Memedi dhe Ivan Viqiç nga Serbia, bën tëditur gazeta KOHA.
Kjo sa i përket organizimit, që pritet të jetë në nivel, duke pasur parasysh punën e palodhshme të ekipit organizator, të nisur qysh prej para disa muajsh, me të vetmin qëllim, organizimin më në nivel të këtij spektakli në palestrën sportive “Rinia”.
Që ky organizim të fitoj edhe më shumë në peshë, u përkujdes vet kik boksieri Sazan “Kimbo” Memedi, i cili ka zyrtarizuar një bashkëpunim me hoxhën e njohur Halil Kastrati dhe shoqatën e tij bamirëse “Jetimët e Ballkanit”, me ç`rast të gjitha mjetet e fituara nga biletat e shituara, do të shkojnë si donacion në këtë shoqatë, përcjellë gazeta Koha.
Para duelit, “Kimbo” shprehet i gatshëm për një fitore të re, por edhe kërkon përkrahje sa më të madhe nga publiku në tribunat e palestrës “Rinia” të martën.
“Tash më pothuajse i kam përfunduar përgatitjet disa muajsh, me të vetmin qëllim, paraqitjen sa më dinjitoze në Gostivar, aty ku do të zhvilloj duelin e parë në karrierën time dhe para bashkatdhetarëve të mi. Që në fillim të kësaj nisme, kishim vendosur ky duel të zhvillohet me 23 korrik dhe në Gostivar, duke pasur parasysh faktin se është periudha ku në vendlindje kthehen shumica e bashkatdhetarëve tanë që punojnë e veprojnë në Evropë dhe ata, bashkë edhe me shqiptarët që jetojnë në vendlindjen e tyre, do të janë një përkrahje e madhe për mua nga tribunat”, shprehet Memedi.
“Pres dhe dëshiroj që palestra sportive “Rinia” mos të ketë asnjë ulëse të zbrazët të martën, ndërsa apeloj te të gjithë që të vijnë në numër sa më të madh, të më përkrahin mua, por edhe të tubojmë sa është e mundur më shumë mjete për të ndihmuar shoqatën bamirëse ‘Jetimat e Ballkanit’, përfundoi Memedi, transmeton gazeta Koha.
Ndryshe Sazan “Kimbo” Memedi veç më i ka përfunduar përgatitjet e tij para këtij dueli dhe i qetë, fillimisht e pret peshimin zyrtar që do të mbahet të hënën në Gostivar, e më pas edhe duelin e të martës ndaj serbit Ivan Viqiç.