Skuadra e Sassuolos nuk e ka ndërmend ta shesë mesfushorin Manuel Locatelli gjatë këtij muaji, ka insistuar drejtori sportiv Giovanni Carnevali të enjten për mediumet italiane. Carnevali ka zbuluar se Sassuolo javën e fundit ka refuzuar shumë oferta nga klubet e mëdha të Evropës, si Manchester City e Juventusi që kanë insistuar në transferimin e mesfushorit gjatë këtij muaji.
“Ne si klub krenohemi që futbollisti ynë kërkohet nga klubet e mëdha. Mirëpo, Locatelli nuk do të largohet dhe do të jetë pjesë e ekipit deri në fund të sezonit. Ne tashmë i kemi refuzuar të gjitha ofertat”, tha Carnevali.
Locatelli 23-vjeçar, ka kontratë me Sassuolon deri në vitin 2023 kurse këtë edicion ka dy gola e një asistim në 16 paraqitje në Serie A.