Bruksel, 20 shkurt– Propozim buxheti i Bashkimit Evropian për periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2027, për të cilin po debatohet sot në samitin e jashtëzakonshëm të liderëve të BE-së në Bruksel, është i papranueshëm për Parlamentin Evropian (PE), deklaroi kryetari i PE-së, Dejvid Sasoli në konferencën për shtyp, në margjina të takimit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, transmeton gazeta KOHA.
“Ky propozim është i papranueshëm, ka shkurtime serioze”, tha Sasoli.
Sipas tij, propozim-buxheti përfshin “financim joefikas”, që nuk do t’i zgjidh problemet e komunitetit.
“Ekziston hendek i madh midis pozicioneve tona”, shtoi Sasoli.
Në Bruksel po mbahet takimi urgjent i BE-së për buxhetin shumëvjeçar të BE-së. Nga viti 2021 buxheti i BE-së do të humb 11 miliardë euro pagesa në vit si rezultat të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, i cili ishte vendi i dytë donator pas Gjermanisë.
Liderët e BE-së duhet të vendosin se sa do t’i rrisin pagesat e donatorëve dhe për sa do t’i zvogëlojnë subvencionet e shteteve përfituese të mjeteve nga fondet e BE-së për periudhën 2021-2027.(koha.mk)