Pas negociatave disa orëshe sonte, Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) i kanë përafruar pikëpamjet dhe janë dakorduar që pagat e punonjësve në arsimit nga shtatori të rriten për 15 për qind dhe të mos ketë ulje rrogash për periudhën e grevës. Të njëjtat gjëra do të vlejnë edhe për punonjësit në kopshte.
Në takimin që u mbajt në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, u saktësuan më tej marrëveshjet kolektive dhe u ra dakord që në të ardhmen gjatë krijimit të buxhetit të bisedohet bashkërisht me sindikatën.
Rekomandimet e pajtuesit do t’i prezantohen sindikatës, ndërsa kryetari i SASHK-ut Jakim Nedelkov shpreson se do të pranohen, pas së cilës më së voni për 10 ditë duhet të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet SASHK-ut dhe MASH-it.
“Shpresoj se anëtarësia do t’i pranojë rekomandimet e pajtuesit”, tha Nedelkov pas takimit.
Me këtë, në përfundim të afatit ligjor, të dyja palët, me ndërmjetësimin e një pajtuesi të caktuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, gjetën një zgjidhje të pranueshme reciprokisht për kërkesat e Sindikatës.
Greva në kopshte dhe shkolla filloi më 11 prill me kërkesën për rritje të pagave prej 18.4 për qind. Më 28 prill, greva u ndërpre pasi sindikata mori një njoftim nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale se Ministria e Arsimit dhe Shkencës kërkon zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjes së punës përmes ndërmjetësuesit. Pas emërimit të ndërmjetësuesit, filloi procesi i pajtimit mes SASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i cili në përfundim të afatit ligjor prej 20 ditësh përfundoi me harmonizimin e qëndrimeve të të dyja palëve.