Bruksel, 28 nëntor – Eurodeputetja nga radhët e Të Gjelbërve, Judit Sargentini, njëheri autore e amandamentit më të ashpër për azilin e Gruevskit në Hungari në raportin e Parlamentit evropian për Maqedoninë, sqaron se miratimi i amandamentit do të jetë qëndrim zyrtar i BE-së.
Siç njoftoi korrespodentja e MIA-s nga Brukseli, sipas Judit Sargentini, është me rëndësi të shfrytëzohet rasti që të hapet kjo temë kontroverse në rezolutën për Maqedoninë, për të cilën do të debatohet sonte.
“Është sinjal politik. Nuk mendoj se është vetëm Parlamenti, edhe Komisioni edhe vendet anëtare janë befasuar. Atë që Hungaria e bën është involvim në punët gjyqësore të një vendi, i cili me mund po tenton të përmirësohet dhe të bëhet anëtar i BE-së. Dhe kjo nuk është konstruktive”, thotë Sargentini për MIA-n.
E pyetur pse vendet anëtare dhe Komisioni evropian nuk reaguan më ashpër pas vendimit të Hungarisë që ta mbrojë ish kryeministrin e Maqedonisë nga dënimi me burg, Sargentini sqaron se ky është problem i vazhdueshëm në BE.
“Mund të thuhet se nuk ka pasur kritika të ashpra as gjatë tetë viteve të fundit kur bëhet fjalë për Hungarinë. Ky është problemi i madh, që vendet anëtare i mbyllin sytë derisa Hungaria ua merr të drejtën qytetarëve të vet. Nëse vendet anëtare i kanë mbyllur sytë kur Hungaria ua merrte të drejtat qytetarëve të vet, nuk është befasi që shohin anash edhe kur ndodh kjo.
Sargentini,e cila është autore e raportit të PE-së, ku kërkohet suspendimi i së drejtës së votës së Hungarisë në BE për shkak të shkeljes së rregullave evropiane, për të cilin shkak u bë cak i fushatave të fuqishme të diskreditimit në Hungari, e përshëndet guximin e institucionit të saj.
“PE-ja tregoi karakter kur votoi për raportin tim dhe shpresoj se do të tregojë karakter edhe tani, pasi Maqedonia ka të drejtë në procese të veta gjyqësore. Ky sinjalizim i lojërave të fuqisë nga ana e Hungarisë është sjellje joevropiane”, thotë ajo.
Rreth mundësisë që hapet debat në nivel të Komisionit në PE dhe pastaj edhe në nivel plenar në janar, siç dëshirojnë socialdemokratët, Sargentini thotë se nuk është e informuar, por sigurisht se grupi i saj do të mendojë për përkrahje të iniciativës së tillë.
Për rezolutë, thotë ajo, është shumë herët.
“Por fakti që e kemi shfrytëzuar këtë vokabular në raportin për Maqedoninë është tani shenjë për diçka, nëse nuk arrijmë këtu, do të kërkojmë mënyra tjera”, pohon Sargentini.
Sot në PE po debatohet edhe për liritë akademike, debat i përqëndruar para së gjithash ndaj presioneve të Qeverisë hungareze për mbylljen e Universitetit Qendror evropian në Budapest, ku çdo ditë mbahen protesta.
“E shihni, provojmë të vazhdojmë t’i bëjmë presion Hungarisë përmes mjeteve tjera, dhe e njëjta vlen edhe për presionin në rastin me Gruebskin”, deklaroi eurodeputetja për MIA-n