I dërguari i posaçëm i Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarazin thotë se vendi i tij pa mëdyshje e mbështet synimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE), njofton korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.
Sarazin, i cili po bën vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë që nga marrja e detyrës në muajin shkurt, shkroi dje në faqen e tij në Tuiter se i kishte përcjellë ministres së Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla mbështetjen e qartë të qeverisë së tij për anëtarësimin e Kosovës në organizatën evropiane për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
“Pozicioni i Gjermanisë është i qartë: Kosova është zemra e Evropës dhe vendi i saj është në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Sarazin.
Në konferencën e djeshme për shtyp me Gërvallën, Sarazin deklaroi se edhe Gjermania e përkrah liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe po përpiqet t’i bindë partnerët e Bashkimit Evropian që të bëjnë të njëjtën gjë.
Vizita e të dërguarit gjerman të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor vjen menjëherë pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Qeveria e Kosovës të enjten, më 12 maj, në parim ka miratuar nismën për anëtarësimin e vendit në KE dhe vetëm pak orë më vonë ministrja e Punëve të Jashtme Gërvalla ka dorëzuar zyrtarisht aplikacionin në Strasburg.
Këshillin e Evropës e përbëjnë 46 vende dhe anëtarësimi i një anëtari të ri kërkon votat e dy të tretave të tyre. Sipas mediave në Prishtinë, shpresat e autoriteteve të Kosovës për t’iu bashkuar kësaj organizate janë rritur që nga përjashtimi i Rusisë.