Emri i saj tashmë njihet gjithandej ku jetojnë shqiptarët. Saranda Krasniqi është një nga këngëtaret me vokalin më të mirë në skenën shqiptare, performon live gjithandej në dasma, koncerte e ahengje familjare dhe nuk di të ndalet. Ka publikuar së fundi edhe projektin me titull “Diamant”, kurse në intervistën për InfraRed të gazetës KOHA ajo tregon shumë gjëra mbi veten
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Si ndodhi që muzika u bë pjesë domethënëse e jetës tuaj? Ju vetë vini nga ndonjë familje muzikantësh apo nevoja, koha dhe dëshira për muzikën?
Me muzikë jam marrë që e vogël, kam trashëgim nga nëna ime sepse ajo ka kënduar në festat e shkollës, por nuk ka vazhduar më tej, jam mbesë e Mushtishtit vendi që njihet si burim i muzikës.
KOHA: Na tregoni diçka për historinë e zërit tuaj dhe kush mendoni se një këngëtarë si ju, e bën të jetë i vetëdijshëm, se si ka qenë zëri i saj dhe kur keni filluar të këndoni?
Në zhvillimet e muzikës ka ndikuar babai im sa ishte gjallë sepse nuk jeton më, por tash kam përkrahjen e bashkëshortit tim, ai është instrumentalist i grupit ku performojmë bashkë nëpër ahengje të ndryshme.
KOHA: Dhe gjatë kësaj karriere tejet mbresëlënëse, a jeni ndjerë ndonjëherë nervoze apo e lodhur?
Normal secili njeri lodhet nga puna që bën po kur e mendoj që zëri im është ai që bën njerëzit të ndihen mirë atëherë më kalon dhimbja.
KOHA: Keni shkruar ndonjë tekst këngësh?
Tekste nuk kam shkruar nga fillimi deri në fund, por ndonjë rresht kur më është ofruar ndonjë tekst kam ndërhyrë pak a shumë ku mendoj që i është përshtatur melodisë.
KOHA: Cili është sekreti tuaj, që në skenë ti je energjik, këndon 5-6 orë pa pushim fare?
E vërtetë që këndoj disa orë në dasma, sepse e marr punën me shumë përgjegjësi dhe mundohem që dasma të bëhet sa më e bukur sepse këngëtari e ka rolin kryesor që e bën dasmën dhe respektin që kam ndaj dasmorëve nuk ndihet lodhja në këtë rast.
KOHA: Jetoni në…?
Vendi bazë ku banoj është Prizreni.
KOHA: Cili është instrumenti muzikor i preferuar i juaji? A mund të luani me të?
Instrumenti është piano pasi kam kryer shkollën e muzikës, por e kam lënë pas dore për arsye se këndimi është që më plotëson në çdo aspekt sa i përket muzikës.
KOHA: E mira dhe e keqja, si e shikon njërën dhe si tjetrën?
Të mirën e duam të gjithë, por e keqja është pjesë e jetës dhe nuk mund të ikë askush se aty nuk vendosim ne por Zoti.
KOHA: Merr dhurata, bën të tilla?
Kam shumë dëshirë të bëj dhurata ndihem mirë shpirtërisht po kohëve të fundit edhe marr dhurata nga njerëz që i vlerësoj shumë.
KOHA: Je një kuzhiniere e mirë?
Kuzhiniere nuk jam shumë e mirë por mundohem që ato gjëra t’i përgatis me përkushtim dhe të kenë shije.
KOHA: Po me paratë, je dorëlëshuar apo di të kursesh?
Me paratë nuk di të kursej… jam dorëlëshuar!
KOHA: E fiksuar pas parfumeve?
Pas parfumeve shume e fiksuar me relaksojnë.
KOHA: Me peshën si po shkon puna, ndihesh mirë apo thua gjithë kohës “duhet të ulë edhe nja dy kile”?
Me peshën jam OK, sepse mundohem të ha pak sidomos ëmbëlsira shumë rrallë dhe pa e tepruar.
KOHA: Me zemrën besoj je OK nga të gjitha drejtimet?
Edhe me zemrën jam OK (qesh).
KOHA: I do gjërat me rregull apo edhe pak rrëmujë toleron nëpër shtëpi?
Kam dëshirë rregull, por koha nuk të premton kështu që nganjëherë edhe rrëmujë bëhet sidomos në sezonin e verës kur ka dasma.
KOHA: Flasim pak për shooping që bën?
Shopping bëj aty ku më pëlqen dhe ndihem mirë, çmimi nuk ka problem aspak.