Ka shumë vite që këndon, merret me muzikë që në moshë të re dhe njihet si një nga vokalet më të bukura që ka skena shqiptare. Saranda Alija vazhdon me të njëjtin ritëm duke sjellë vetëm vlera. Në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA do e njohim më mirë yllin shqiptarë!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Si e kalon një 24 orësh i juaji?
Një 24 orësh i imi nuk mund të them se është i zakonshëm për shkak të punëve të përditshme dhe angazhimeve tjera profesionale, po si secili njeri e si bashkëshorte e kaloj në shtëpi pastaj duke parë angazhimet që kam.
KOHA: Kur je e lirë, çfarë bën?
Në fakt, nuk është që kam edhe shumë kohë të lirë, por realisht ajo që më pëlqen të bëj është të kaloj kohë më shumë me bashkëshortin tim mbase pjesë e përditshmërisë tonë është arti dhe muzika, në ndonjë vend të qetë.
KOHA: Ke gjithmonë angazhime, të ftojnë nëpër koncerte?
Po kam gjithmonë angazhime, një ndër angazhimet që kam është pjesëmarrja në Oxygen Shou ku jam tashmë shtatë vite, më ftojnë dhe nëpër koncerte se jam soliste e ansamblit Shota ku organizohen koncerte brenda dhe jashtë Kosovës, periudhën e fundit jam e angazhuar dhe në ahengje të ndryshme familjare në Tetovë ku më ftojnë të ndajmë bashkë gëzimin e tyre, performanca live është pika ime më e fortë.
KOHA: Çfarë ushqimesh preferon të përgatisësh kur je e lirë?
Do të më pëlqente të jem kuzhiniere e mirë por më pëlqen shumë të gatuar ushqimet tradicionale që kemi.
KOHA: Blen dhe gjëra të lira apo gjithmonë “firmato”?
Jo gjithmonë firmato nuk është fokusi im të vishem ashtu, por ndodh me raste që preferoj sikur në klipin e fundit të bashkëpunoj me dizajnere që i përshtatet stilit tim, pra thjeshtë nuk dua të nisem nga arsyeja e vlerës apo veshjes firmato.
KOHA: Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Secili artist mund të them që ngërthen në vete një lloj brishtësie, tipari kryesore i karakterit tim mund të them që është guximi sepse guximi e ka ndërtuar karakterin tim deri më sot.
KOHA: Çfarë do të ndryshonit te vetja nëse do mundeshit?
Nuk e kam menduar ndonjëherë ndonjë gjë që do ndryshoja, po mendoj që krijuesi ynë është përkujdesur në mënyrën më të mirë të mundshme për secilin nga ne.
KOHA: Terapia juaj kundër stresit?
Terapia kundër stresit gjithsesi këndimi, thjeshtë këndimin e kam terapi jetësore.
KOHA: Cilët do ishin të ftuarit e një darke ideale në shtëpinë tuaj?
Padyshim që pas familjes, shoqëria është pjesa që neve na përcjellë në jetë dhe shumicën e kohës e kalojmë jashtë për shkak të angazhimeve që secili kemi por për një darkë ideale në shtëpinë time do i ftoja miqtë e mi.
KOHA: Cili personazh filmash apo librash ju frymëzon?
Mbase shoh filma të zhanreve të ndryshme dhe lexoj kohë pas kohe nuk mund të them se kam ndonjë frymëzim të personazheve të filmave apo librave por më pëlqejnë personazhet që janë të bazuar në realitet.
KOHA: Dhurata që ju pëlqen të bëni?
Nuk kam ndonjë dhuratë që e bëj zakonshëm, më pëlqen të bëj dhurata mundohem të tregohem e kujdesshme varësisht prej festës, eventit apo personit.
KOHA: Talenti që do të doje të kishe?
Më pëlqejnë pikturat, ndoshta ky do ishte talenti im i dëshiruar.
KOHA: Deri ku do arrinit për dashurinë?
Për dashurinë? Deri në pafundësi…
KOHA: Në cilën epokë do kishit dashur të jetonit?
Në epokën në të cilën jetoj, është epoka që e shoh, e prek, e ndjej dhe mendoj që kjo është epoka në të cilën dëshiroj, sepse jam realiste.
KOHA: Ju trembin vitet që ikin? Frika duhet fshehur?
Jo aspak, uroj që vitet në vazhdim të jenë sikur deri tash, aspak nuk më trembin përkundrazi i mirëpres.
KOHA: Vdekja ju tmerron?
Jo sepse është proces njësoj si jeta.
KOHA: Karrierë pastaj fëmijë apo fëmijë pastaj karriera?
Kam vite që merrem me muzikë dhe jam përkushtuar karrierës, karriera ndërtohet por gjithsesi dëshira është më e madhe për të pasur familje të shëndoshë dhe fëmijë.
KOHA: Po sikur të ishe një film, si do të ishte titulli i tij?
Realiteti.