Dibër, 29 korrik – Pushteti vendor në Dibër filloi realizimin e projektit për sanimin e rrugëve të dëmtuara. Bëhet fjalë për projekt që realizohet në rrugën qendrore të qytetit deri tek shëtitorja. Mjetet për këtë aktivitete janë siguruar nga buxheti lokal.
Sipas kryetarit të Komunës, Hekuran Duka, sanimi i rrugës kryesore “8 shtatori” ka qenë tejet i nevojshëm meqë disa pjesë të rrugës kanë patur asfalt të dëmtuar. “Gropat e shumta që janë rezultat i kohës filluan të sanohen. Përveç rrugës kryesore, bëhet sanimi edhe në sheshin ‘Skënderbeu’ si dhe në disa rrugë të tjera të qytetit”, tha Duka, ndërsa shtoi se për këtë aktivitet, me tender është përzgjedhur ndërmarrja e cila me sukses pritet të realizojë punimet. Përveç sanimit të rrugëve kryesore të Dibrës, në pjesën e rrugës “8 shtatori” që është afër sheshit “Skënderbeu”, po realizohen edhe aktivitete për tejkalimin e problemit të ujërave atmosferik. Meqë në këtë pjesë të qytetit janë paraqitur probleme me pustetat e ujërave atmosferik, punëtorët e ndërmarrjes publike “Standardi” aktualisht janë duke punuar për tejkalimin e problemit dhe vendosjen e pusetave të reja.
“Për shkak të reshjeve të borës gjatë sezonit dimëror, dhe përdorimit të materialit abraziv meqë Dibra është në një lartësi mbidetare mbi 630 metra, është normale që ka dëmtime të asfaltit të rrugëve. Për këtë shkak, sanimi i rrugëve ishte nevojë e kohës”, thonë përfaqësuesit të pushtetit vendor. (koha.mk/V.S)