Kaosi në trafik vazhdon të shqetësojë qytetarët, sidomos përdorimi pa kriter i motoçikletave orëve të mbrëmjes, ndërkohë që gjobat e shqiptuara nga organet e rendit fare pak reflektojnë në përmirësimin e situatës në terren
Omer XHAFERI
Shkup, 26 gusht – Shkeljet e rregullave të komunikacionit edhe pse vazhdimisht sanksionohen, ato nuk japin rezultatin e kërkuar. Veturat dhe motoçikletat vazhdojnë të krijojnë një kaos të vërtet në trafikun rrugor. Gjobat e shqiptuara nga organet e rendit fare pak reflektojnë në përmirësimin e situatës në terren, shkruan gazeta KOHA. Pasojat nga sjelljet devijues të shoferëve në rrugë më tepër i vuajnë ata qytetarë të Shkupit dhe rrethinës që jetojnë përskaj bulevardeve dhe rrugëve kryesore. Ashtu siç viteve të tjera, edhe në këtë sezone vere garat me motorë, besa edhe me vetura zhvillohen pas mesnate. Kjo periudhë siç duket është më e përshtatshme për të shkelur shpejtësinë në maksimum.
Organet e rendit në raportet e tyre ditore, kryesisht në ato të vikendeve raportojnë se kryejnë shumë kontrolle dhe gjobisin shumë shofer të papërgjegjshëm. Njoftimet se janë sanksionuar dhjetëra shofer të dehur, apo dhjetëra të tjerë janë gjobitur për shkak të vozitjes në gjendje të dehur, respektivisht disa të tjerë janë ndëshkuar në të holla nuk asnjë lajm i ri. Policia rrugore një veprim të tillë e bëri edhe gjatë kësaj fundjave, megjithatë tërbimi i automjeteve në komunikacionin rrugor vazhdon të jetë prezent.
Gjatë ditës së shtunë siç njoftojnë nga Ministria për Punë të Brendshme, janë regjistruar gjithsej 35 kundërvajtje nga shoferët e automjeteve, me çka u janë shqiptuar gjoba adekuate.
“Ne periudhë mes 18:30 të datës 24 gusht, deri me 01:30 të datës në 25 gusht Sektori për siguri në komunikacionin rrugor zhvilloi një aksion për zbulimin e kundërvajtjeve që bëhen nga vozitësit e motoçikletave. Gjatë këtij aksioni janë sanksionuar 46 shofer të motoçikletave. Paralelisht me këtë aksioni janë zbuluar edhe 35 kundërvajtje tjera”, thonë nga Sektori për Punë të Brendshme Shkup.
Statistikat e fundit për gjendjen në komunikacion rrugor tregojnë se nga fillimi i vitit e deri më sot si pasojë e aksidenteve në rrugë kanë ndërruar jetë 70 persona. Forumi për qytetari aktive (FQA), këtë situatë e vlerëson si tepër serioze, me çka thonë të dhënat e fundit tregojnë se ky është viti më i rëndë në vendin tonë sa i përket të vdekurve nga aksidente në rrugë.
“Vetëm për krahasim në gjashtë muajt e parë të vitit 2019 ka rritje të numrit të viktimave për 20 për qind më tepër se periudhën e njëjtë të vitit 2018. Për dallim nga periudha e njëjtë e vitit 2017 viktimat janë shtuar për 25 për qind më tepër”, thonë nga FQA. Sipas tyre ndryshimet institucionale duhet të jenë të koordinuara, para se gjithash drejtë përforcimit të reformave dhe legjislacionit nga ana e MPB, përmirësimi i infrastrukturës rrugore nga Ministria e transportit dhe lidhjeve, gjegjësisht Ministria e Shëndetësisë përfundimisht duhet ta formoj trupin udhëheqës për rritje e sigurisë në komunikacionin rrugor. (koha.mk)